Politike

Gjermania këmbëngul: Negociatat me Shqipërinë, në qershor

Gjermania përforcoi qëndrimin se negociatat e anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut duhet të nisin sa më shpejt dhë bëri thirrje që caktimi i një date për tryezën e parë ndërqeveritare të ndodhë gjatë takimit të udhëheqësve të BE-së në qershor.

Këtë herë, sinjali i mbështetjes është dhënë nga ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mos zhgënjejmë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet që kanë parë prej kohësh të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian dhe të mbajmë premtimin tonë për anëtarësim në BE. Kjo do të thotë vendet e Ballkanit Perëndimor, para së gjithash, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Është përgjegjësia jonë që përfundimisht të hapim negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në gjysmën e parë të këtij viti. Ky është një hap i vonuar”, deklaroi Baerbock.

Kryediplomatja gjermane pati edhe një thirrje për Serbinë.

“Nëse doni të bëheni anëtare e BE-së, dhe kjo është ajo që dëshiron Serbia, është një çështje qendrore të mbështesim politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet përkatëse në ato momente”, shtoi ajo.

Sipas Baerbock, BE duhet të vlerësojë edhe qëndrimin në politikën e jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke iu referuar këtu qëndrimit 100 për qind në përputhje të kësaj politike nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë