Shqipëria nuk do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin e integrimit në Bashkimin Europian para muajit qershor, kur udhëheqësit e unionit do të vendosin për hapjen formale të negociatave, ose jo.
“Në rastin e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut do të ndodhë nëse në qershor nuk do të hapen sërish negociatat formalisht për Shqipërinë për shkak të Bullgarisë. Deri në qershor do të jemi në një linjë me Maqedoninë e Veriut, që të dyja vendet duhet të marrin dritën jeshile. Nëse në qershor Maqedonia e Veriut bllokohet sërish nga Bullgaria do të kërkojmë nga Gjermania, Franca dhe vendet e tjera që të na ndajnë”, tha Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Rama ndodhet në Berlin për një vizitë zyrtare. Në këtë konferencë Kancelari gjerman ritheksoi mbështetjen gjermane për negociatat, por edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Rama tha se kishte njoftuar Kancelarin për nismën e Ballkanit të Hapur, ndërsa pa e përmendur në emër, Scholz tha se Gjermania mirëpret çdo nismë gjithpërfshirëse që forcon bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Do të angazhohem për gjithçka që mbështet berlinin, por e rëndësishme është që të ruhet këndvështrimi, të përmirësohet bashkëpunimi dhe të mundësohen liritë e përbashkëta”, tha Scholz.
Kancelari u shpreh se nën dritën e agresionit rus në Ukrainë, BE duhet të tregohet më fleksibël sa i takon zgjerimit dhe gati për të hedhur e përshpejtuar hapat në drejtim të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, ai konfirmoi mbështetjen gjermane.
“Me fuqinë që kam dhe gjithë mbështetjen e qeverisë federale dhe të Bundestagut ka ardhur koha, ka të bëjë edhe me agresionin rus ndaj negociatat duhet të hapen. Është rritur vëmendja dhe ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin në këtë situatë”, deklaroi ai.
Sa për ndikimet e vendeve të treta, në këtë konferencë u ngrit shqetësimi i ndërhyrjes ruse dhe kineze në Ballkan, ndërsa për Turqinë, Rama tha se për Shqipërinë ajo nuk është faktor i tretë, por aktor strategjik me të cilën Shqipëria ka një marrëdhënie të ngushtë.
“Unë besoj se Turqia është një valvul e pazëvendësueshme sigurie për të gjitha Bashkimin Europian”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje