Bota

Zyrtari i lartë i ‘Gazprombank’ arratiset nga Rusia: Do të luftoj me Ukrainën

Gazeta Si – Igor Volobuev, një nga drejtuesit më të lartë të “Gazprombank”, njoftoi se ai ishte larguar nga Rusia për të luftuar përkrah forcave ukrainase.

“Volubuev, nënkryetar i ‘Gazprombank’, thotë se ai iku për të luftuar me ukrainasit,” shkruan “Moscow Times”.

Sipas faqes ruse, ai “bëhet kështu të paktën i katërti në mesin e udhëheqësve të mëdhenj dhe përfaqësuesve të shquar politikë që largohen nga vendi”.

Ndërsa faqja e internetit  “The Insider”, të cilës i referohet edhe “Moscow Times”, shkruan se Volubuev – një vendas nga qyteti i Okhtyrka, në Ukrainë – tha se ai nuk mund të “shikonte më se çfarë po i bën Rusia atdheut tim. Rusët po më vrisnin babanë, të njohurit, miqtë e mi. Babai im jetoi për një muaj në një bodrum të mbyllur. Njerëzit që i kisha njohur gjithë jetën më thanë se duhet të kisha turp për veten time”.

Volobuev, i cili është 50 vjeç dhe ka punuar për 33 vjet në kompanitë e lidhura me tregun e gazit në vend, tha se u largua nga Rusia më 2 mars dhe iu bashkua forcave të mbrojtjes territoriale të Ukrainës.

“Ky i Putinit është një krim. Por nuk është Putini që i kryen ato vrasje, që vjedh gjithçka, madje edhe tualetet, ai që përdhunon gratë: janë rusët. Dhe unë kam pjesën time të përgjegjësisë: do të turpërohem për gjithë jetën”, – tha ai.

“Askush nuk e dinte për arratisjen time nga Moska”, – tha Volobuev, i cili foli gjithashtu për vdekjen misterioze të ish-zëvendëspresidentit të ‘Gazprombank’, Vladislav Avaev në Moskë dhe menaxherit të ‘Novatek’, Sergej Protosenya në Spanjë.

“Unë nuk mendoj se ishte fare vetëvrasje, – i tha ai uebsajtit ‘liga.net’, – vdekja e tyre mund të ketë qenë e mirëorganizuar. Ata dinin shumë”.

Në fund të marsit, Anatolij Chubais, ish-zëvendëskryeministri i Jelcinit, ishte arratisur nga Rusia.

Nënkryetari i parë i bordit të “Sberbank”, Lev Khasis dhe nënkryetari ekzekutiv i “Aeroflot”, Andrei Panov gjithashtu u larguan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë