Gazeta Si – Igor Volobuev, një nga drejtuesit më të lartë të “Gazprombank”, njoftoi se ai ishte larguar nga Rusia për të luftuar përkrah forcave ukrainase.
“Volubuev, nënkryetar i ‘Gazprombank’, thotë se ai iku për të luftuar me ukrainasit,” shkruan “Moscow Times”.
Sipas faqes ruse, ai “bëhet kështu të paktën i katërti në mesin e udhëheqësve të mëdhenj dhe përfaqësuesve të shquar politikë që largohen nga vendi”.
Ndërsa faqja e internetit “The Insider”, të cilës i referohet edhe “Moscow Times”, shkruan se Volubuev – një vendas nga qyteti i Okhtyrka, në Ukrainë – tha se ai nuk mund të “shikonte më se çfarë po i bën Rusia atdheut tim. Rusët po më vrisnin babanë, të njohurit, miqtë e mi. Babai im jetoi për një muaj në një bodrum të mbyllur. Njerëzit që i kisha njohur gjithë jetën më thanë se duhet të kisha turp për veten time”.
Volobuev, i cili është 50 vjeç dhe ka punuar për 33 vjet në kompanitë e lidhura me tregun e gazit në vend, tha se u largua nga Rusia më 2 mars dhe iu bashkua forcave të mbrojtjes territoriale të Ukrainës.
“Ky i Putinit është një krim. Por nuk është Putini që i kryen ato vrasje, që vjedh gjithçka, madje edhe tualetet, ai që përdhunon gratë: janë rusët. Dhe unë kam pjesën time të përgjegjësisë: do të turpërohem për gjithë jetën”, – tha ai.
“Askush nuk e dinte për arratisjen time nga Moska”, – tha Volobuev, i cili foli gjithashtu për vdekjen misterioze të ish-zëvendëspresidentit të ‘Gazprombank’, Vladislav Avaev në Moskë dhe menaxherit të ‘Novatek’, Sergej Protosenya në Spanjë.
“Unë nuk mendoj se ishte fare vetëvrasje, – i tha ai uebsajtit ‘liga.net’, – vdekja e tyre mund të ketë qenë e mirëorganizuar. Ata dinin shumë”.
Në fund të marsit, Anatolij Chubais, ish-zëvendëskryeministri i Jelcinit, ishte arratisur nga Rusia.
Nënkryetari i parë i bordit të “Sberbank”, Lev Khasis dhe nënkryetari ekzekutiv i “Aeroflot”, Andrei Panov gjithashtu u larguan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje