Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi akuzoi se mosbesimi i thellë mes partive politike po mban peng votën e emigrantëve në zgjedhjet për zgjedhjet në Shqipëri.
Në një tryezë të organizuar në bashkëpunim me OSBE, kreu i KQZ-së nënkuptoi se partitë politike në deklarime publike mbështesin votën e emigrantëve, por me veprimet praktike e penguan atë për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar.
“Tej deklarimeve publike të bëra nga politika, dukej qartë që ajo akoma nuk ishte e përgatitur për të pranuar dhe për më tepër për të punuar për realizimin e këtij procesi. Ky qëndrim i tyre ndikoi edhe ai në mos realizimin e votimit nga jashtë në ato zgjedhje”, tha Celibashi.
Ai tha se nga ana e saj, KQZ u angazhua maksimalisht për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e veta, por…
“Pasiguria dhe mosbesimi që palët kanë kundrejt njëra-tjetrës për procesin zgjedhor brenda vendit, janë natyrshëm në një shkallë më të lartë në rastin e votimit nga jashtë dhe më shumë akoma kur rregullat për këtë proces duhet të miratohen vetëm 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve të përgjithshme”, deklaroi Celibashi.
Sipas kreut të KQZ-së për të realizuar votimin nuk duhet konsensus i gjerë i politikës, por konsensus i plotë i saj. Celibashi kërkoi nga politika që ta gjejë këtë konsensus sa më parë dhe brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm i gjithë kuadri ligjor dhe rregullator të jetë gati për të siguruar votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-s.
Celibashi u shpreh gjithashtu se Kodi Zgjedhor mund të ketë nevojë për disa ndërhyrje të detajuara për të përcaktuar më mirë rregullat për votimin nga jashtë. Ai tha se konsensusi politik nuk duhet të vonojë, pasi veç ndërhyrjeve të mundshme në Kodin Zgjedhor, KQZ do të duhet që të kalojë e miratojë vetë rregullat përkatëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje