Tryeza për votën e emigrantëve organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri bashkë të dyja palët rivale brenda Partisë Demokratike.
Enkelejd Alibeaj dhe Oerd Bylykbashi që të dy pretenduan se përfaqësonin Partinë Demokratike në këtë tryezë. Dallimi ishte se Alibeaj u prezantua nga Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi si përfaqësues i PD-së, ndërsa Bylykbashin e prezantoi si deputet dhe ish-bashkëkryetar në komisionin e fundit të reformës zgjedhore.
Gjithsesi, në emër të PD-së, Alibeaj bëri propozimin e vet, sipas të cilit kërkohet ngritja e një regjistri të posaçëm me votuesit jashtë vendit dhe ndarja e tyre sipas kohëzgjatjes së qëndrimit jashtë vendit.
Propozimi i tij u kundërshtua nga Bylykbashi, që gjithashtu foli në emër të Partisë Demokratike. Ai tha se vota e emigrantëve është i vetmi mekanizëm që ka mundësi që të mos ndikohet nga patronazhistët dhe presioni i qeverisë dhe krimit në zgjedhje dhe si i tillë, sipas tij, ka potencial që të ndryshojë jo vetëm qeverisjen e vendit, por edhe klasën politike.
Bylykbashi kërkoi që të bëhej kujdes me ngritjen e këtij regjistri, për të shmangur mundësinë e përfshirjes selektive në të vetëm të emigrantëve të cilëve u duhet bindja politike.
Partia Socialiste u përfaqësua në këtë tryezë me Damian Gjiknurin. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së tha se zgjidhjet ekzistojnë dhe ato janë të parashikuara në dy nene të Kodit Zgjedhor sipas ndryshimeve të 2020-s.
Ai kërkoi nga KQZ që të nisë punën për nxjerrjen e rregullave, ndërsa opozitën e ftoi që pa humbur kohë të nisë puna e komisionit të ri të reformës zgjedhore në Kuvend për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se është pro votës së emigrantëve. Ajo ngriti tre shqetësime në këtë drejtim, që nga regjistrimi, adresat, mënyrën e votimit dhe si do të përllogariten mandatet e siguruara nga votat e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje