Politike

A e njeh Berishën për kryetar? McAllister: Nuk bëj koment, duam opozitë konstruktive (të martën takoi Tabakun)  

David McAllister zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë si Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Evropian dhe jo zi zv-President i PPE-së dhe këtë u përpoq ta shpjegojë mirë kur u pyet në fund të vizitës së tij nga media nëse e njihte Sali Berishën si kryetar i PD-së.

“Unë kam ndjekur zhvillimet politike nga afër, kam respekt të plotë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sot këtu në këtë konferencë, por edhe në kontekstin e këtij misioni unë po udhëtoj si kreu i delegacionit të Komisionit Parlamentar dhe jo si zv. presidenti i PPE, sot nuk kam mundësi të bëj komente në lidhje me atë se çfarë po ndodh brenda PD.

Por të jeni të sigurt se në kapacitetin tim, ne po i ndjekim të gjitha zhvillimet nga afër dhe do të përpiqemi të jemi mbështetjen tonë që të tejkalohen dallimet ose ndasitë, por këtë nuk po e bëj sot”.
A e njihni Berishën?

“Unë jam këtu si kreu i delegacionit të Komisionit Parlamentar për çështje të jashtë, nuk është vendi për të komentuar

Ne do kemi një konferencë të PPE në Roterdam dhe atje do të kemi takime të presidencës dhe mes shumë çështjesh do diskutojmë edhe për PD”, u përgjigj sërish ai

Megjithatë gjatë ditës ai zhvilloi një takim me palën që njihet nga ndërkombëtarët, Jorida Tabakun dhe zëdhënësen e grupit, Oriola Pampuri.


Tabaku tha se gjatë takimit kishte trajtuar veçanërisht problematikën në zgjedhjet e fundit në vend dhe korrupsionin.

Nga ana e tij, McAllister në konferencën për shtyp e cilësoi spektakolare dënimin e dy ish-ministrave, Koka dhe Tahiri.
“Kjo tregon që autoritetet në Shqipëri e kanë marrë seriozisht luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e këto kanë qenë zhvillime spektakolare e na tregon që policia, autoritetet ligjore, prokurorët të gjithë janë të angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
E dua ti inkurajoj të gjithë, ata që kanë përgjegjësi në Shqipëri për këtë punë që të vijojnë me këtë qëndrim kaq të rëndësishëm dhe të fortë kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, apo dhe çështjesh të tjera si keto. E ky ka qenë dhe mesazhi që u dhamë sot për ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Drejtësisë, te dy ministrave”, tha ai në konferencën me mediat.

McAllister u shpreh ndër të tjera se BE nuk ka pse humb kohë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi te dyja vendet i kanë plotësuar kushtet.

“Shqipëria është një anëtare e vlerësuar e BE, aleate e fortë që ka luajtur rol kyç në çështjet e sigurisë së Evropës për politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë. Falënderoj Shqipërinë për integrimin e BE duke përfshirë solidaritetin e saj sa i takon sanksioneve ndaj Rusisë. Gjatë takimeve tone ne kemi dhënë këto mesazhe:

Së pari, BE nuk ka kohë për të humbur për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë pasi të dyja vendet kanë plotësuar kushtet

Ne përqendrohemi tek plani A dhe përpjekjet diplomatike po bëhen për të zhbllokuar procesin
Së dyti Shqipëria nuk ka kohë për të humbur për të vijuar reformat. Edhe këtu plani A është bashkëpunim konstruktiv politik dhe konkurrencë sipas një procesi të duhur parlamentare.

I bëjmë thirrje palëve politike për tu angazhuar për zgjidhjen e problemeve. Nuk mund të ketë ecuri pa pasur një opozitë konstruktive. Më lejoni të jem i qartë, Shqipëria ka arritur progres të qartë. Po bën reforma të rëndësishme, si ajo e vettingut.
Shqipëria jo vetëm që duhet të trajtojë mungesën e pluralizmit politik por edhe të lejoje lirinë medias. Duhet të heqë ato mangësi zgjedhore që kanë mbetur”, u shpreh zyrtari i lartë i PE
A është ai i shqetësuar nga deklaratat e kryeministrit Rama ne Bruksel që nëse s’do marrim përgjigje pozitive Shqipëria do ndryshojë kurs?
“Ne jemi për momentin tërësisht të angazhuar për përmbushjen e planit A, përndryshe politikanët kanë dhe plane B e C por s’dua të flasim publikisht për planet B e C. Për momentin duam të përmbushet plani A”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë