Politike

Presidenti i ri brenda 6 qershorit, Balla: E zgjedhim në raundin e katërt

Komisioni i Ligjeve zhvilloi mbledhjen formale për të konstatuar mungesën e një kandidature edhe në raundin e tretë të votimit për Presidentin e ri të vendit.

Raporti ‘copy-paste’ i komisionit të ligjeve me dy raportet e raundeve të para iu dorëzua Kuvendit në seancën plenare për të djegur edhe raundin e tretë. Opozita ka bojkotuar seancën parlamentare të mbledhur për raundin e tretë. Në seancë kanë qenë vetëm deputetët e Rithemelimit

Përfundimi i këtij raundi e fut procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri plotësisht në dorë të socialistëve. Në dy raundet e mbetura, ata mund ta zgjedhin Presidentin e ri me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

“Nga ky moment ne nuk do ta lemë vendin pa president dhe do të propozojmë, duke ndjekur parimet e një procesi ku dëshira jonë është që të dialogojmë me gjithkënd që dëshiron bashkë me ne të ndajë përgjegjësinë e zgjedhjet se Presidentit të Republikës”, tha kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Gjasat janë që zgjedhja të përmbyllet brenda raundit të katërt, sipas qëndrimeve të shprehura nga Kryeministri Edi Rama. Ai ka deklaruar se PS nuk do ta çojë zgjedhjen e Presidentit për në raundin e pestë, që do të thotë se brenda datës 6 qershor mund të kemi emrin e pasuesit të Metës.

“Në raundin e katërt, PS do të propozojë një kandidat, apo kandidate pas një procesi që ne jemi duke e vijuar që prej datës 28 mars. Ky proces po shkon drejt përfundimit. Deri nesër do të marrim kohën e nevojshme për të propozuar raundin e katërt dhe shpresoj që të jetë edhe raundi përfundimtar i votimit”, vijoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS nuk përjashtoi dialogun me opozitën edhe në këtë raund.

Sa për emra, nga PS nuk ka qarkulluar ende asnjë i tillë zyrtarisht, ndërsa në prill Rama mori propozimet nga deputetët e grupit parlamentar. E vetmja e njohur është se socialistët kanë përjashtuar mundësinë e zgjedhjes president të një anëtari të grupit parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë