Sali Berisha dhe Edi Rama u përplasën në seancën plenare të Kuvendit mbi radhën e mbajtjes së fjalës.
Sali Berisha: Akti i turpshëm nuk i hiqet fjala deputetit në Parlament!
Edi Rama: Si nuk të vjen turp o ‘Non Grata’ po ulu aty! Je i padëshiruar! Ulu! Je i padëshiruar! Nuk ka procedurë për ty personalisht, jo për Kuvendin! Nuk procedurë për Non Gratat! Je i padëshiruar!
Por, që të dy u bashkuan në qëndrimin për të cilësuar bordet e vendosjes së çmimeve në treg si komuniste. Për Ramën, është komunist që në kushtet aktuale po mbron qytetarët.
“Në kushte normale, Bordi është komunist dhe në kushtet e kësaj krize është një ndihmë psikologjike dhe financiare se nuk mund të ndërhyjë shteti e të kontrollojë çmimet me dhunë. Bordi ka një meritë që të vendosë tavan dhe pastaj e llogarit me laps e letër”, deklaroi Kryeministri.
“Prej kohësh janë denoncuar bordet si institucione të të shkuarës sonë komuniste dhe sot një bastard i bllokmenëve, e konfirmoi këtu krenarisht se me metodë komuniste ka gjetur shpëtimin e qytetarëve shqiptarë. Këto borde janë si shushunja që po i pinë gjakun dhe po i fusin në depresion qytetarët me çmimet stratosferike, vetëm për të mbrojtur qeverinë dhe oligarkët e saj”, u shpreh Berisha.
Rama e pranoi se Shqipëria ka çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, por e argumentoi këtë me taksat më të ulta që ka në rajon.
“Ne biznesit të vogël nuk i marrim asnjë lekë, zero taksë me zero TVSH deri në 100 milionë xhiro. Ndryshe nga rajoni, ne vërtetë e kemi më të lartë se të tjerët taksën mbi biznesin e madh, por ne subvencionojmë 100 për qind energjinë elektrike, jo për të gjitha familjet, por edhe për biznesin e vogël. Ndryshe nga rajoni, ne ju japim para të gjithë shqiptarëve që nuk lëvizin me fuoristrada, por transport publik. Ne do të vazhdojmë t’i japim para për naftën fermerëve”, deklaroi ai.
Berisha pretendoi për të kundërtën.
“Nafta këtu është në çmimet më të lartë në Europë dhe në botë kurse energjia është jo në proporcion, por pa proporcion është ndër çmimet më të larta në Europë. Në mënyrën më të papërgjegjshme deklarohet se biznesin e vogël e kemi me zero taksa në një kohë kur vetëm energjia elektrike i merret 2 herë më shumë se vite më parë. Ky zotëri ka humbur çdo sens realiteti. Vjedhja e përditshme duket se shërben si narkotik që të shkëput nga realiteti dhe bota përreth”, u shpreh Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje