Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi që aktualisht po merr pjesë në komisionin për reformën zgjedhore ka qenë i vëmendshëm për një takim konsultativ që Enkelejd Alibeaj zhvilloi me disa demokratë për reformën territoriale.
“Dje Alibeaj pranoi publikisht se i paskan kërkuar Ramës ndryshime në hartën territoriale në këmbim të votës për shtyrjen e mandatit të komisionerëve të vetingut.
E pranoi që kishin kundërshti dhe pikëpyetje për vetingun dhe moralitetin e këtij pazari, por gjithësesi marrëveshjen e kishin bërë.
Ky pohim tronditës, në kufi të absurdit, por tashmë 100% i provuar, vërteton atë që unë kisha denoncuar prej kohësh.
Më 9 tetor 2021, vetëm një muaj pas 9 shtatorit famëkeq, denoncova pazarin Rama – Basha.
Asokohe denoncova se Rama i pat ofruar Bashës t’i shtonte në hartë pak bashki në këmbim të votave të Bashës pët t’i zgjatur vetingun Ramës.
E quajta pazar kuajsh: më jep një kalë të të jap një mushkë.
Publikisht thashë se pazarin po e ofronte Rama dhe jo Basha, por nënteksti tregonte të kundërtën.
Basha e kapi grepin dhe reagoi. I alarmuar, ai mblodhi kryesinë e grupit parlamentar të PD një të dielë në mbrëmje për të më bërë gjyqin: “A ke ti Oerd një ofertë për reformën territoriale?” ishte pyetja e Bashës që synoi të fshihte gjurmët e pazarit duke ma veshur mua që po e denoncoja.
Në atë mbledhje plot tensione i thashë Bashës : ‘Nëse kjo ndodh, është një thikë pas shpine për demokratët. Ky është pazar i ofruar publikisht.
Po të them këtë gjë: po e pranove do dëmtosh demokratët’
Pa iu dridhur qerpiku tha: ‘Refuzoni çdo ide se na qenka ofruar pazar i ndarjes territoriale për vetingun, se është një dëm që i bëhet demokratëve”, citon Bylykbashi duke shpërndarë edhe një video nga takimi i Alibeajt me disa demokratë .
“Dje Alibeaj e pranoi me zë e me figurë që ky pazar nuk ka moral. Pazarin e bënë për hir të nevojës që të shesin si fitore shtesën në hartën prej letre të pak bashkive.
Madje ai pranoi që pazarin nuk e ka ofruar Rama, por e kanë kërkuar ata vetë.
Rama nuk do t’u japë as mushkë, por një gomar që hapin e ka të shkurtër e kur vrapon të hedh nga samari.
Do ta shihni që vetëm 4-5 bashki do të kërkojnë shtesë se Rama nuk u jep më shumë. Për kaq pranuan që t’i shtyjnë afatin një trupe vetingashësh të akuzuar për kapje politike, dy standarte e korrupsion”, tha Bylykbashi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje