Politike

Përkujtimi i Havzi Nelës, mesazhi ndryshe i Bashës: Mund të ndërtojmë të ardhmen, duke mos harruar të shkuarën  

Thuajse çdo vit përkujtimor, kohës kur ishte kryetar i PD-së, Lulzim Basha, ka postuar për figurën e Havzi Nelës.

E ka bërë një gjë të tillë edhe të mërkurën, tanimë si ish-kryetar i partisë. Ndryshe nga herët e tjera kur Basha ka postuar poezi të Nelës shoqëruar me mesazhe të gjata, kësaj here postimi i tij ka qenë ndryshe.

Ai mban të njëjtin qëndrim për figurën e tij ashtu si edhe vitet e tjera (pa përfshire akuzat e Berishës ndaj babait të kryeministrit Edi Rama), por në postimin për 34 vjetorin e vdekjes së poetit, Basha përcjell një mesazh ndryshe në përmbajtjen e rreshtave.        

“…Pas 21 vitesh burg, tortura dhe internime, diktatura humbi çdo shpresë që ta mposhte shpirtin e tij të lirë ndaj vendosi ta vrasë në mes të Kukësit për ta bërë shembull. Por vetëm e përjetësoi Havzi Nelën dhe veprën e tij, e cila u ngrit kundër përçudnimit të individit, kundër zvetënimit të vlerave individuale, kundër shkatërrimit të çfarëdolloj tradite të mirë shqiptare, që na mbajti për dekada larg Perëndimit…

Duke mos harruar të shkuarën, duke kujtuar dhe nderuar qëndrestarët dhe ata që sfiduan diktaturën, ne do të mund të ndërtojmë të ardhmen, përmes refuzimit të së keqes dhe banalitetit të saj dhe bazuar mbi vlerat më të mira të shqiptarëve dhe qëndresës për liri, për demokraci dhe një Shqipëri të mundësive dhe dinjitetit për të gjithë!”, shkruan Basha


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë