Socialistët do t’i shkojnë deri në fund ndryshimeve në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për të rishikuar certifikatat e pastërtisë me të cilat janë pajisur nga komisionet ‘Mezini’ e ‘Bezhani’ politikanë e zyrtarë të tjerë shtetërore.
“Në shtator Kuvendi do të miratojë ndryshimet për të rishikuar certifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit. Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës, as bashkëpunetorëve”, deklaron kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
PS ka prezantuar draftin e ndryshimeve në ligjin për informimin mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe në Kodin Zgjedhor. Drafti është propozim i Autoritetit të Dosjeve, që kërkon në ligjin për dosjet heqjen e parashikimit që i ndalon këtij institucioni që të verifikojë politikanët, apo zyrtarët e pajisur me certifikata të pastërtisë së figurës.
Balla i cilëson këto ndryshime si domosdoshmëri.
“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar çertifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit”, deklaron kreu i grupit parlamentar socialist.
Debati për dosjet u rikthye në fund të korrikut, kur Autoriteti i Dosjeve i dërgoi një letër Kuvendit, në të cilën deklaronte se Ilir Meta kishte një dosje si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Meta i ka cilësuar sajesa e fabrikime të Edi Ramës këto deklarata të Autoritetit.
Ndërkohë, në të njëjtën deklaratë, Taulant Balla nënkupton se në vjeshtë, Kuvendi duhet të ‘adresojë’ edhe çështjen e Berishës. Ai nuk sqaron më tepër se si duhet të jetë ky adresim, por e cilëson si absurd praninë në Kuvend të ish-Kryeministrit të shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe.
“Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij”, shton ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje