Bota

Marrëveshja me kishën serbe, Abazoviç testohet me mosbesim në parlamentin malazez

Dritan Abazoviç përballet këtë të enjte me testin e vështirë në parlamentin malazez; mocionin e mosbesimit të dorëzuar nga partia e Milo Gjukanoviç, e njëjta parti që e votëbesoi në postin e Kryeministrit.

Arsyeja e mocionit është marrëveshja e nënshkruara nga Abazoviç me Kishën Ortodokse Serbe të Malit të Zi, që i siguron kishës pronat që malazezët thonë se i ka grabitur që nga periudha e Mbretërisë Serbo-Kroate.

Që të mbijetojë, Dritan Abazoviç i duhet që të sigurojë mbështetjen e të paktën 40 deputetëve në parlament. 36 prej tyre janë përfaqësues të socialdemokratëve, partia e Milo Gjukanoviç, të cilët kanë firmosur në bllok mocionin e mosbesimit ndaj Kryeministrit.

Partia e Gjukanoviç thotë se marrëveshja e nënshkruar nga Abazoviç dëmton interesat e malazezëve dhe zotohet se me ngritjen e Qeverisë së re do ta anulojë këtë marrëveshje.

Mocionin e kanë përshëndetur edhe parti të tjera më të vogla, që për nga numri i mandateve në parlament bashkë me socialdemokratët plotësojnë 41 vota, aq sa duhen për të rrëzuar Qeverinë e Abazoviç.

Ky i fundit pritet që të ketë mbështetjen e serbëve në Kuvend, ndërsa ka deklaruar se nëse qeveria i mbijeton mocionit, do të zgjerojë koalicionin qeveritar, në një përpjekje që nga socialdemokratët është cilësuar si lëvizje për të joshur partitë e vogla boshnjake e malazeze.

Veç marrëveshjes me Kishën Serbe, Milo Gjukanoviç ka kritikuar Kryeministri Abazoviç edhe për afrimin e Malit të Zi në nismën e Ballkanit të Hapur. Ai thotë se dy qëndrimet e ndjekura nga qeveria e Abazoviç për këto dy çështje bien ndesh me programin e saj, ku prioritet ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe shteti i së drejtës për të avancuar me negociatat dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë