Ilir Meta përsëriti akuzat se dosja e Sigurimit të Shtetit për të cilën flet Autoriteti i Dosjeve është një trillim e manipulim i rëndë, ndaj të cilit do të ndjekë hapa ligjorë që nga shtatori.
Ai doli në një konferencë për mediat, kur tha se përpjekja përmes dekriminalizimit për ta lënë jashtë Kuvendit është një ëndërr e mazhorancës socialiste.
“Ëndrra e fundit e pjellave më të neveritshme të Sigurimit të Shtetit dhe të Kristaqit. Më 1 shtator do të padis penalisht autoritetin e manipulimit të dosjeve për shkelje flagrante dhe të vetëdijshme të ligjit organik të dosjeve, për falsifikime të qëllimshme të dosjes së qytetarit F.T., manipulim për qëllime shantazhi dhe nxjerrjen e sekreteve shtetërore në publik”, tha ai.
Kësaj padie, kryetari i Partisë së Lirisë tha se do t’i shkojë deri në fund, madje deri në Strasburg.
“Këto përralla dhe lojëra nuk funksionojnë me Ilir Metën, që më nxjerr këto larvat dhe Tao-Taot, të jeni të sigurtë që në fund do të jetë një rast shembullor edhe në nivel ndërkombëtar dhe në gjykatat e të drejtave të njeriut, se si keqpërdoret në mënyrë kriminale një autoritet që duhet të jetë shembull i respektimit të të drejtave të njeriut”, tha Meta.
Ish-Presidenti u shpreh se për padinë po punonin juristët e tij.
“Juristët e mi po punojnë për këtë qëllim, jam njohur me dosjen e përndjekjes së qytetarit F.T., nga sigurimi i shtetit. Nuk ekziston, nuk ka ekzistuar dhe nuk mund të ekzistojë asnjë dosje për Ilir Rexhep Metajn dhe këta le të lodhen. Kanë falsifikuar dosjen e një qytetari për të përfshirë Presidentin e Republikës, kjo është bërë sepse Presidenti mbrojti Kushtetutën dhe interesat sovrane të Shqipërisë, të cenuara nga Edi Rama si Kryeministër në shërbim të qarqeve antishqiptare”, u shpreh Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë tha se shqetësimi i vërtetë i tij është korrupsioni galopant i përmasave të frikshme në çdo drejtim. Ai premtoi se do të denoncoi me prova këtë korrupsion për afeën e inceneratorëve, por edhe të ndërtimit të rrugëve dhe të ujësjellësave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje