Nga Gazeta ‘SI’ – Në ditën e dytë të Samitit të Ballkanit të Hapur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tregoi se disa vende europiane kanë kërkuar të bëhen pjesë e takimit dhe se po konsiderohet të ftohen në samitin e radhës në Tiranë.
“Ne ftuam Greqinë dhe Italinë, por për arsye objektive nuk mundën. Një tjetër nga BE më tha po ne pse nuk jemi ftuar. Më vjen shumë mirë që po vjen dita që duan të ftohen në Ballkanin e Hapur, ata që i përkasin hapësirave që ne duam të ftohemi. Për mua nënkupton se Ballkani është për Europën aq i rëndësishëm sa është Europa për Ballkanin.”- u shpreh Rama.
Ai i vlerësoi dhe punën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me situatën e Kosovës, duke thënë se Vuçiç ka dhënë sinjalin se zgjedhja e parë është paqja.
Pa përmendur të gjitha marrëveshjet, Rama u fokusua në atë të heqjes së pengesave ushqimore dhe bashkëpunimin në sektorin energjitik.
“Në kontekstin e krijuar nga lufta ne u përballëm me problemin e furnizimit me grurë dhe Serbia bllokoi eksportet, ishte Ballkani i Hapur që i çliroi kontratat e Serbisë dhe MV për Shqipërinë. Nuk do të ishte e mundur me konfliktet e kaluara. As nuk do të nënshkruanim marrëveshje për lehtësim furnizimi apo magazinimi”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë.
AI theksoi se si “Shqipëria i vjen në ndihmë vetes duke ndihmuar të tjerët”, – referuar marrëveshjes për shkëmbim energjie, ku pritet që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të marrin qymyr nga Shqipëria.
Rama ripërsëriti ftesën për homologët e tjerë europianë dhe këshilloi që askush të mos shohë me dyshime ftesën për grekët, turqit dhe hungarezët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç renditi të gjitha marrëveshjet që priten të nënshkruhen më vonë gjatë ditës midis tri vendeve të BH.
“Do të nënshkruajmë sot dokumente angazhime të së ardhmes. Marrëveshjen për Mekanizmin e Furnizimit të produkteve themelore mes Ballkanit perëndimor. Cili nga vendet tona merr vendim të ndalë eksportimet në kuadër të Ballkanit të Hapur, nëse e bën Serbia apo Shqipëria dhe Maqedonia nuk do ndikojë në vendet e tjera. Planet për mbrojtjen civile. Fondi i bashkëprodhimit, lëvizja me dokumente të identitetit. Prodhim i përbashkët i produkteve kinematografike. Taskforca për parandalimin e krizës do të jetë i rëndësishëm, u bë në Tiranë, e dimë që do jetë i vështirë. Edhe ne s’jemi mirë, por do të ndihmojmë. Jam i gëzuar sepse, tri vendet tona, kanë treguar se një eveniment kaq i rëndësishëm ka qenë i mundur të krijohet në nivelin e një klasi botëror”, – shpreh Vuçiç.
Në fund të fjalës së tij, ai rikujtoi takimin e parë me kreun e qeverisë shqiptare. “Më kujtohet takimi i parë pas 70 vjetësh pas Titos dhe Enver Hoxhës, kur u takuam unë dhe Edi Rama, takim me energji të jashtëzakonshme. Kjo është shtëpia juaj e dytë”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçeski u shpreh po ashtu i kënaqur nga nisma e Ballkanit të Hapur, teksa tha se vendet e nismës do të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast mungese të produkteve ushqimore, apo mangësie në furnizimin me energji.
“Të mblidhemi bashkë është fillesa. Të punosh së bashku është sukses. Të punuarit bashkë është motori që na shtyn përpara, përmes sfidave të dimrit të ashpër që i frikësohet e gjithë bota. Së bashku jemi angazhuar të lehtësojmë lëvizjen e lirshme të mallrave dhe njerëzve. Ky bashkëpunim ka hapur rrugën që të menaxhojmë sfidat e transportit të ushqimit për qytetarët tanë. Do të angazhohemi për disponueshmërinë e ushqimit për qytetarët tanë. Do ta ndihmojmë njëri tjetrin në rast se do ketë mungesa për produktet ushqimore. Do të ketë qarkullim pa asnjë lloj kufizimi për produktet thelbësore, sheqeri, mielli, bulmeti”,- Kovaçeski.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje