Politike

S’ka reformë territoriale. PS kundër ndryshimit të hartës, PD: Rama tallet, ka frikë nga vota  

Partia Socialiste është kundër ndryshimit të hartës territoriale.  Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se shërbimet në këto shtatë vite janë përmirësuar dhe nuk ka arsye të ndryshimit të numrit të bashkive, ndryshe nga sa pretendon opozita.

“Në mbledhjen e sotme të grupit është referuar edhe një informacion lidhur me atë që kanë konkluduar anëtarët dhe ekspertët përgjatë punës së komisionit të reformës territoriale. Anëtarët dhe ekspertët kanë konkluduar se mes propozimeve për një numër më të madh bashkish dhe propozimeve për një numër më të vogël bashkish, nisur edhe nga fakti që vetëm 7 vite kanë kaluar nga reforma e fundit, por edhe nga fakti që shërbimet publike janë përmirësuar, kemi konkluduar që pozicioni ynë në komision do të jetë që ti qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe”, u shpreh Balla.

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi  reagoi pas këtij vendimi.

“Vendimi i PS, për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës.Është tallje me partnerët që u angazhuan në proces. Është tallje me parlamentin. Është shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proces të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës.

Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bêre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor. Edi Rama ka frikë nga vota.

Përgjigja e qytetarêve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale.

Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve”, shkruan deputetja e PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë