Sali Berisha mbodhi pasditen e te henes Këshillin Kombetar ku u miratuan vendimet e kryesisë dhe aksioni i ardhshëm opozitar që përfshin protesta, greva deri edhe vendime për mosbindje civile. Nderkohe, miratimi i rregullores per primaret u shty per te shtunen me argumentin se anetaret e Keshillit Kombetar kerkuan kohe.
Në fillim të mbledhjes, kryetari i PD-së, Sali Berisha sulmoi politikisht Ramën kur tha se ai mban qendrime antishqiptare
“Siç ndiqni situatën, Edi Rama, çdo javë, muaj, zhytet gjithnjë e më thellë në vasalitet të plotë ndaj presidentit serbomadh Aleksandër Vuçiç dhe Beogradit.
Në rast se ju merrni diskurin e tij të muajit të fundit, në këtë diskur njeriu më të mbrojtur, më të cituar në rajon, Europë, Botë në fjalimet e Ramës do të gjeni Vuçiçin.
Ky vasal i tij kalon nga samiti në samit, nga takimi në takim, duke mbrojtur një Putin të vogël në rajon, duke i dhënë këshilla Europës dhe botës, duke justifikuar plotësisht rreshtimin e Vuçiçit me Rusinë dhe kundër sanksioneve të BE-së, duke i paraqitur kërkesën për zbatimin e sanksioneve nga Vuçiçi si një kërkesë të rrezikshme për paqen e rajonin.
E vërteta është se prapa mbrojtjes që i bën Rama aksit Moskë-Beograd, qëndron vasaliteti i tij ndaj Beogradit dhe indirekt ndaj Moskës. Qëndron shkelmimi që ai u bën interesave kombëtare të shqiptarëve”,tha Berisha.
Ai tha gjithashtu se Rama është kundër Albin Kurtit.
“Edi Rama në mënyrë antishqiptare dhe ç’njerëzore, u thotë shqiptarëve dhe botës se unë nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës. Nuk bie dakord me Vuçiçin për njohjen e Kosovës, por nuk bie dakord me Albin Kurtin për qëndrimin ndaj të shkuarës.
Kërkesën që ai i drejton Vuçiçit publikisht, ndoshta dhe privatisht, për njohjen e Kosovës e ka të miratuar plotësisht nga padroni i tij…”, tha ai
Kryetari i PD komentoi edhe marrëveshjen e diskutueshme Rusi-Serbi, për përmbajtjen e së cilës, vijoi ai, Rama nuk shqipëroi asnjë fjalë kundër saj
“A shqipëroi një fjalë të vetme Edi Rama kundër kësaj marrëveshje, e cila është komentuar gjerësisht në Europë. Marrëveshje që Serbisë po i kërkojnë shpjegime edhe në Uashington.
A mundet që ky avokati i Vuçiçit të na thojë pak, në interes të kujt është kjo marrëveshje, në një kohë kur i kërkohen sanksione ai firmos marrëveshjen për bashkëpunimin me Vuçiçin.
Çfarë duhet të bëjë ky më shumë ndaj shqiptarëve, që ne ta tolerojmë këtë. A ka ndonjë hap tjetër për të faktuar vasalitetin e tij ndaj Vuçiçit.
Ky mos njohjen e Kosovës e justifikon me qëndrimin që mban qeveria e Kosovës ndaj gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit nga Beogradi”, tha ai.

Berisha u shfaq kritik edhe për marrëdhëniet që kryeministri Rama ka ngritur me presidentin e Turqisë, Rexhep Tayyp Erdogan.
Gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi që demokratët të ndërgjegjësojnë qytetarët, pasi situata sipas tij është e rëndë.
“Të ndërgjegjësojmë njerëzit, duhet të kalojmë në kryengritje paqësore. Greva është përgjigja ndaj kësaj qeverie”, tha ai. Berisha konfirmoi edhe bashkëpunimin me Ilir Meten.
“Do bashkëpunojmë ngushtësisht me Partinë e Lirisë dhe cdo parti tjetër që është e vendosur të angazhohet në lëvizje”
Berisha u fokusua gjithashtu në akuzat ndaj Lulzim Bashës për fondet lobuese të vitit 2017 dhe tha se do të depozitojë në Kuvend një ligj të plotë për lustracionin, duke kundërshtuar në të njëjtën kohë nismën e PS-së për Ilir Metën në Kuvend.
‘Ai (Basha) duhet të thotë ku i mori paratë dhe si i dërgoi në Skoci, e shpëtoi një herë Rama, por kjo çështje është shumë serioze dhe ai nuk mund ta trajtojë ndryshe, por të bëjë transparencë të plotë se ka drejtuar këtë parti, ndonëse ju e dini që gjënë më të lehtë ka gënjeshtrën…”
Më herët, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo përcolli vendimet e kryesisë.
“Në mbledhjen e datës 26 Shtator 2022, kryesia e Partisë Demokratike me qëllim auditimin e përdorimit të të fondeve të Partisë Demokratike për çështjen Nik Muzin vendosi ngritjen e grupit të auditimit me përbërjen si më poshtë: Ledina Mandia – kryetare me anëtarë Florion Mima, Edmond Spaho, Enno Bozdo, Aldo Bumçi. Objekti i veprimtarisë së grupit të auditit është kontrolli, verifikimi, dhe bërja e transparencës së plotë lidhur me përdorimin ose jo të fondeve të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me çfarëdolloj prejardhje, në aktivitete lobimi në periudhën përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve për kuvendin e datës 25.06.2017.
Grupi i auditit duhet të verifikojë në mënyrë të veçantë dhe të japë përgjigje të plotë lidhur me akuzat e bëra publike në media mbi përdorimin e fondeve me prejardhje të dyshimtë ose dhe të paligjshme për aktivitete lobimi në favor ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu në mbledhjen e sotme kryesia miratoi rregulloren mbi modalitetet e përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e pushtetit vendor.
Në rend dite ishte dhe u miratua gjithashtu kodi i sjelljes së mirë, etikës dhe integritetit ku përshkruhen vlerat dhe besimet themelore ku mbështetet dhe i promovon çdo anëtar i Partisë Demokratike”, tha pas mbledhjes së kryesisë, zëdhënësja e PD, Floriana Garo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje