Politike

Kontrata për Shërbimin Satelitor, Peleshi: Territori do të monitorohet me teknologji të avancuar

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se sot do të nënshkruhet kontrata 6 milionë dollarëshe e shërbimit satelitor. Peleshi theksoi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të digjitalizimit.

Ai tha se dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 do të përdoren fillimisht për një periudhë 3-vjeçare.

“Sot do nënshkruhet kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA. Kontrata ka vlerën 6 milionë dollarë.

Konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike, profesionale, për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Shqipëria do të ketë akses prioritar  të dedikuar në dy satelitët që pritet t’i bashkohen flotës të SateLogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me Space X”.

Ai shtoi se pranë ministrisë së Mbrojtjes do të fillojë punë qendra e inovacionit ku do të ketë kërkim shkencor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjatë fjalës së tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se 2 satelitët do të ndihmojnë për të marrë informacione që do të parandalojnë aktet kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë