Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka bërë me dije se sot do të nënshkruhet kontrata 6 milionë dollarëshe e shërbimit satelitor. Peleshi theksoi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të digjitalizimit.
Ai tha se dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 do të përdoren fillimisht për një periudhë 3-vjeçare.
“Sot do nënshkruhet kontrata e shërbimit satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit SateLogic SHBA. Kontrata ka vlerën 6 milionë dollarë.
Konsiston në përdorimin ekskluziv të dy satelitëve, fillimisht për një periudhë 3-vjeçare, për monitorimin e territorit të Shqipërisë, zhvillimin e kapaciteteve teknike, profesionale, për përdorimin e shërbimit satelitor, përpunimin e informacionit gjeohapësinor si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë. Shqipëria do të ketë akses prioritar të dedikuar në dy satelitët që pritet t’i bashkohen flotës të SateLogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me Space X”.
Ai shtoi se pranë ministrisë së Mbrojtjes do të fillojë punë qendra e inovacionit ku do të ketë kërkim shkencor në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjatë fjalës së tij ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se 2 satelitët do të ndihmojnë për të marrë informacione që do të parandalojnë aktet kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje