Bota

Kontakte me shërbimet sekrete ruse, shefi i sigurisë kibernetike gjermane nën hetim

Gazeta Si – Kreu i sigurisë kibernetike gjermane është nën hetim dhe mund të shkarkohet për shkak të marrëdhënies së tij të paqartë me inteligjencën ruse.

Sigurisht që Arne Schönbohm nuk ka më besimin e ministres së Brendshme, Nancy Faeser, e cila dje anuloi në mënyrë flagrante prezantimin tradicional të përbashkët të raportit vjetor të Zyrës Federale për Sigurinë Kibernetike, të cilën Schönbohm e drejton.

Objektivi është i ashtuquajturi Këshilli Gjerman i Sigurisë Kibernetike, një organizatë e themeluar nga i njëjti zyrtar dhjetë vjet më parë dhe së fundmi objekt kritikash të forta për bashkëpunimin e ngushtë me shërbimet sekrete të Moskës.

Sipas një programi të transmetuar në televizionin ZDF, rrjeti i dytë publik në vend, Schönbohm, edhe pse nuk ishte më në krye, ka qenë ende në kontakt të vazhdueshëm me organizatën që mbledh ekspertë dhe kompani publike dhe private.

Në veçanti, në gusht, kreu i sigurisë kibernetike gjermane mori pjesë në jubileun e organizatës, ku mbajti fjalimin kryesor.

Një tregues i fortë i marrëdhënieve të paqarta të Këshillit të Sigurisë Kibernetike me Moskën, është prania midis bashkëpunëtorëve të tij, deri vonë i “Protelion”, një kompani simotër gjermane e grupit rus “O.A.O Infotecs”, e specializuar në këtë sektor dhe e themeluar nga një ish-agjent i KGB-së sovjetike, shërbimi sekrete.

Sipas ZDF-së, themeluesi u shpërblye për meritat e tij nga presidenti Vladimir Putin.

Ditën e djeshme, organizata e dyshuar bëri të ditur se kishte përjashtuar “Protelion”-in nga anëtarësimi i saj, për sjellje në kundërshtim me objektivat e Këshillit.

Por ajo hodhi poshtë akuzën se ishte e ndikuar nga rusët, pasi “dyshimet kanë të bëjnë vetëm me një anëtar tonin”, i cili ka hyrë vetëm në vitin 2020 dhe “me të cilin nuk ka pasur asnjëherë bisedime apo projekte të përbashkëta”.

Sipas gazetave të ndryshme, qeveria është gati të shkarkojë Schönbohm, duke emëruar një tjetër shef të sigurisë kibernetike: “Akuzat, – thuhet në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Brendshme, – merren shumë seriozisht dhe të gjitha opsionet janë vlerësuar”.

Shqetësimi se infrastruktura kritike e Gjermanisë po synohet nga rusët për shkak të mbështetjes së Berlinit për Ukrainën, po rritet.

Sidomos. pasi një akt i dukshëm sabotimi fundjavën e kaluar paralizoi të gjithë trafikun hekurudhor në rajonet veriperëndimore të vendit, nga Saksonia e Poshtme në Schleswig-Hollstein për më shumë se tre orë.

Në fillim, “Deutsche Bahn” kishte thënë se ishte një defekt në sistemin radio-dixhital të trenave, por më vonë qeveria pranoi një arsye dashakeqëse.

Sipas ministrit të Transporteve, Volker Wissing, dy kabllo u shkëputën 500 kilometra larg.

Një dokument i brendshëm i Prokurorisë Federale, nuk do të përjashtonte rolin e një shteti tjetër në aktin e sabotimit të dyshuar.

Ndërsa presidenti i Komisionit të Çështjeve Evropiane të Bundestagut, i Gjelbri Anton Hofreiter, iu referua në mënyrë të qartë një përfshirjejer të mundshme të Rusisë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë