Politike

Debati / “Po më duket vetja si në Kuvendin e Shqipërisë”, replikat e Ramës në KiE për raportin, Turqinë dhe rolin e Hagës     

Pjesa 30 minutashe pas fjalës së gjatë të kryeministrit Edi Rama për përmbajtjen e raportit të Dick Marty u përfshi në një debat të ethshëm replikash mes deputetëve të Këshillit të Europës kryesisht atyre vendeve që sot nuk njohin Kosovën dhe kryeministrit Edi Rama.

Ajo që u shfaq me e zemëruar ishte deputetja e Serbisë që përfaqësonte edhe PPE në Këshill e cila i kujtoi kryeministrit Edi Rama (ndryshe nga sa tha) se raporti nuk ishte përgatitur nga delegacioni serb apo ai rus, por ishte një raport i miratuar nga shumica dërrmuese e parlamentareve të Këshillit të Europës.    

“Kam 15 vjet këtu dhe kurrë nuk kam përjetuar një gjë të tillë…”, tha ajo. Ndërsa një tjetër deputet ai i Gjermanisë u ankua për kohën e gjatë që iu la kryeministrit Rama në fjalën e tij.

Rama ndërhyri dy herë në replikat e tij dhe ajo që u vuri vulën ashpërsimit të zërit të tij ishte pretendimi i një tjetër deputeti se Rama po ndërhynte në një proces gjyqësor që po ndiqet në Hagë.

“Mendoni që kjo është mënyra më e mirë për të bashkëpunuar. Ju folët për ngritjen e dhomave të specializuara të Kosovës. Këto janë procedura të pavarura. S’mund të ndërhyjmë në proceset gjyqësore. Ne kemi paraqitur një raport, nuk kemi bërë një hetim penal. Pse duhet të ndërhyjmë tek procedurat?”

“Në deklaratën time, isha shumë i qartë: Thashë se ka një problem serioz cështja serioze e trafikimit të organeve njerëzore dhe ky është problem serioz dhe kjo nuk ka të bëjë me procedurën gjyqësore që ju i referoheni sepse në akt-akuzë nuk ka asnjë fjalë të trafikimit të organeve atje po trajtohet një çështje krejt e ndryshme. Kjo akuza e turpshme për trafikim të organeve njerëzore është një akuzë që i ka bërë të gjithë së bashku në solidaritet

Kjo është ajo që çoi në ngritjen e dhomave për të cilat folët. Aty nuk po merren për trafikimin e qenieve njerëzore… Nuk po flas për ndërhyrjen e asnjë lloj procesi gjyqësor, dua të jem i qartë kristal për këtë, nëqoftëse do lexonit objektivisht raportin do të kuptonit se pse jam këtu. Më lini të jem i qartë, ka qenë një gabim tragjik dhe në demokraci gabimet ndreqen. Ne duhet të jemi të përulur për të pranuar që është bërë një gabim…”, u përgjigj Rama.

“Nuk jam i sigurt, së paku për ata që shprehen parehatinë e tyre në lidhje me fjalën time, nëse e kuptuan vërtet për çfarë po flisja. Lexojini sërish e sërish që të gjejnë mijëra arsye pse jam këtu. Besoj se një prej virtyteve të institucioneve demokratike është të jetë i përulur kur sheh nga vetja dhe për të pasur pjesën e duhur të autokritikës. Nuk i akuzova për asgjë paraardhësit e tyre. Nëse bëhet fjalë për të votuar edhe unë do ta votoja por kanë kaluar 11 vite dhe asgjë nuk është vërtetuar…

Kolegia serbe e tronditur? Sigurisht që e kuptoj. Serbisë do t’i duhet kohë.  Nuk erdha këtu për t’i munguar respekt Serbisë, ka shumë njerëz në Shqipëri e Kosovë që mendojnë se unë jam agjent serb por jam krenar që i shërbej të vërtetës. Unë pretendoj se jap të vërtetën e kombit tim, që e përfaqësoj me krenari. Vëreni veten mbi çdo shqiptar që përballen me këtë paragjykim, që shqiptarët edhe kur luftojnë me armiqtë merren me trafikun e organeve njerëzore. Nuk tërheq asnjë fjalë nga ajo që thashë. Nëse doni ndonjë debat jam i lumtur të rikthehem”, tha Rama.

Kryeministri u “ngacmua” nga një tjetër deputete kësaj here nga  Greqia për raportin me Turqinë dhe të drejtat e njeriut aty.

“Edhe pse në këtë mënyrë të patakt, jeni i vetëdijshëm se ne jemi tejet të vendosur që të ndihmojmë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të përmbushur procesin për anëtarësimin e Shqipërisë.

A mendoni se aderimi i Shqipërisë me vlerat evropiane do ishte e papajtueshme me politikën e sinergjisë dhe aktorë si Turqia që minon të drejtat e njeriut…”, ishte pyetja e drejtuar nga deputetja greke.

“Turqia ashtu si Greqia e Italia të treja janë njësoj dhe në politikën tonë të jashtme përcaktohen si partnerë strategjik kështu që nuk e kuptova në të vërtet pyetjen tuaj. Problemet tuaja me Turqinë shpresoj që t’i zgjidhni përmes dialogut dhe drejtësisë por kur bëhet fjalë për ne nuk krahasojmë dhe nuk zgjedhim midis partnerëve tanë strategjik dhe miqve…

Pa Turqinë kriza e refugjatëve e 2015 do të ishte kthyer në një krizë apokaliptike. Ishte Turqia që në fakt qëndroi në portat e Europës dhe bëri atë që beri

Unë kam nderin dhe privilegjin të konsideroj veten si mik të të dyve presidentit turk dhe kryeministrit të Greqisë…”, tha ndër radhë Rama, i cili i ndërprerë nga ndërhyrjet e disa deputetëve në sallë, tha se i dukej situata njësoj si në Kuvendin e Shqipërisë

“Po më duket vetja si në shtëpi, si në Kuvendin e Shqipërisë…”, ironizoi Rama.

Lidhur me një tjetër kërkesë të ardhur nga deputeti ukrahinas se Rusia duhej të përjashtohej nga Këshilli i Sigurimit,  Rama tha se ishte kryeministri më i gjatë i një vendi të vogël që nuk mund të ketë peshë për të tilla vendime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë