Në një kohë kur Enkelejd Alibeaj dhe Taulant Balla kanë zhvilluar një takim larg medias për reformën territoriale, kur PS-ja nga ana e saj ka refuzuar të shtojë numrin e bashkive, Oerd Bylykbashi që përfaqëson “Rithemelimin” në grupin parlamentar të PD ka depozituar një draft po për territorialen.
Bylykbashi tha për mediat se është një draft i bazuar në konsultime të gjera me faktorët lokalë, me komunitetet vendore, dhe ekspertët më të mirë.
“Propozimi ynë është që zgjedhjet e ardhshme të bëhen mbi bazën e kësaj ndarje, me 97 bashki.
Kemi marrë gjithë kohën e nevojshme që të rakordojmë maksimumin e qëndrimeve, të marrim të gjitha kontributet.
Më herët ka dhe një propozim tjetër nga i cili jemi të kënaqur që ka ardhur në të njëjtat linja siç e nisëm ne procesin që ndarja e bashkive të ishte rreth 90 bashki, pra edhe propozimi tjetër me 94 që është bërë nga deputetët e tjerë demokratë, bazohet në të njëjtat kriteret dhe primet që e kemi bërë ne.
Hapësira për të rakorduar në proces legjislativ është e plotë, por besoj që ky numër bashkish, prej 97 bashkish që ne propozojmë sot, është ai që i jep hapësirën më të madhe, mundësitë më të mëdha komuniteteve lokale. Nuk ka rëndësi çfarë mendon qeveria, çfarë mendon kryeministri, rëndësi ka çfarë duan njerëzit. Dhe nëpërmjet kësaj ne bëjmë të mundur një zhvillim harmonik”, tha Bylykbashi.
I pyetur edhe nga mediat, Bylykbashi sqaroi sërish se dy projektligjet brenda PD-së ndryshojnë shumë pak nga njëra-tjetra sa i përket ndarjes territoriale.
Por a do të votojë “Rithemelimi” një projektligj që mund të gjejë dakordësi mes Alibeajt dhe Ballës për çështjen në fjalë?
“Asgjë që lëviz dukshëm nga propozimi që ne bëjmë sot me 97 bashki nuk mund të marrë mbështetjen tonë sepse do të ishte diçka që nuk është ajo që kërkojnë qytetarët. Çdo gjë që është dukshëm e ndryshme nga ky propozim që bëjmë ne sot apo që kanë bërë kolegët me 94, nuk ka të bëjë me parimet dhe kriteret, ka të bëjë me elementë të tjerë pjesë jo e interesit qytetar…”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje