Bota

Video / ‘Ministri Lavrov shtrohet në spital në Bali’, por Moska përgënjeshtron

Gazeta Si – Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thuhet se u dërgua në spital, pasi u dyshua për një problem shëndetësor pas mbërritjes së tij në samitin e G20 në Bali të Indonezisë, raporton AP, duke cituar autoritetet lokale.

Ministri dyshohet se vuante nga probleme me zemrën dhe u dërgua në spitalin Sanglah. Por zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, megjithatë e quajti ngjarjen si “lajm të rremë”.

“Sergei dhe unë lexuam lajmet në Indonezi dhe nuk mund ta besonim: padyshim që është kulmi i gënjeshtrës”, – tha ajo.

Edhe Lavrov ka reaguar ndaj lajmeve se ai raportohet se është dërguar në spital, duke  thënë se lajmet për shëndetin e tij janë asgjë tjetër veçse lojëra politike.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, është një prej personave më të afërt dhe më të besuar të liderit të Kremlinit, Vladimir Putin.

Lavrov është në krye të delegacionit rus në samitin e G20-s, i cili do të zhvillohet më 15 dhe 16 nëntor në Bali.

Edhe pse nuk pranoi të marrë pjesë, presidenti Vladimir Putin, pritet të flasë përmes një video-konference.

Në samitin e G20 marrin pjesë 20 shtetet më të industrializuara në botë, të cilat kanë së bashku 85% të Produktit të Brendshëm Bruto Botëror dhe 75% të tregtisë ndërkombëtare dhe dy të treta e popullsisë botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë