Politike

Porti i Durrësit, Alibeaj: Shteti humb qindra mln euro (E çojmë në Kushtetuese, Bylykbashi çoi një ligj që s’ka lidhje me Portin)

Në seancën plenare të së enjtes së kaluar, Enkelejd Alibeaj dhe grupi i tij kërkoi transparencë për marrëveshjen e Portit të Durrësit.

Përmes një konference për shtyp nga zyrat e Kuvendit, Alibeaj tha se pas kërkesës publike kishte marrë në dorë dokumentacionin. Pas shqyrtimit, Alibeaj  tha se me paktin për Portin e Durrësit janë shkelur dy nene të Kushtetutës, po ashtu dy nene të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe evidentoi tetë shkelje të këtij dokumenti.  

“…Nga përllogaritjet e bëra mbi dokumentacionin zyrtar rezulton se shteti shqiptar nëpërmjet dhënies së truallit, ndërtesave, përjashtimit nga taksat e ndikimit në infrastrukturë dhe strehimit social, si dhe heqja dorë nga fitimet vjetore të Portit Durrës, heq dorë nga 630 (628.45) milionë Euro. Ndërkohë, sipas biznes planit, në kushte ideale në përfundim të projektit, shteti shqiptar përfiton 280 milionë euro. Pra, diferenca ndërmjet asaj që shteti ofron me atë që merr në këmbim është 350 (348.45) milionë euro humbje.

Një mënyrë tjetër për të vlerësuar leverdinë ekonomike, mund të ishte duke parë praktikat që ndjek cdo pronar toke që ofron për zhvillimin pronën e tij. Në kontrata private, pronari i tokës merr të paktën 30% të sipërfaqes ndërtimore, cka në rastin konkret do të nënkuptonte që shteti do të përfitonte 612 milionë euro vlerë ndërtimi. Edhe në këtë rast rezulton se diferenca është 332 milionë euro më pak. Qartazi pra, shteti shqiptar nuk ka asnjë leverdi ekonomike nga kjo marrëdhënie kontraktuale.

E keni dëgjuar kryeministrin dhe ministrat të mburren shpesh se po sjellin në Shqipëri një nga investitorët më të mëdhenj të Emirateve të Bashkuara, por pyetja që mund të ngrihet me të drejtë është: cila është arsyeja që një projekt i tillë i jepet një kompanie të regjistruar në off-shore? Pse kompania ndërkombëtare Emmar nuk ka ardhur vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri, por nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Ishujt Kajman? Edhe këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje…,” renditi Alibeaj. Sipas tij, shteti shqiptar nuk do të ketë asnjë informacion se si do të ndryshojnë aksionarët e kompanisë mëmë.

“Është fakt se sipërmarrësi privat ka ofruar vetëm 80 mln euro nga kapitalet e tij dhe 80 mln euro nga kreditë bankare, pra në total 160 mln euro, ndërkohë që paratë e tjera thuhet se do sigurohen nga borxhe, kredi apo investime nga të tretë dhe shitjet në fazë projektimi.

Se kush janë këta të tretë mbetet e paqartë, por nuk është i largët skenari që pastrimi i parave që po bëhet sot në kullat e Tiranës, të përsëritet në rastin e portit të Durrësit.

Marrëveshja përcakton se shteti shqiptar do të ketë 33% të kompanisë së re që do të krijohet, ndërsa sipërmarrësi privat 67%. Ajo që mbetet e pasqaruar është se si është bërë kjo ndarje aksionesh, në një kohë që sic kemi shpjeguar më parë shteti shqiptar ka ofruar 630 milionë euro, ndërsa sipërmarrësi privat do të ofrojë vetëm 160 milionë euro. Nga ana tjetër, thuhet se fitimi i shtetit shqiptar do të vijë nëpërmjet dividentit, pra ndarjes së fitimeve, por duke qenë se jetojmë në Shqipëri dhe skemat me kompani publiko-private që dalin vazhdimisht me humbje nuk janë të panjohura, si do të garantojë shteti që kompania nuk del cdo vit me humbje dhe shteti nuk fiton asgjë…”, tha ai

I gjithë ky projekt, vijoi Alibeaj, ka kaluar në mungesë totale të transparencës me qytetarët dhe publikun.

“Çfarë ndodh me portin aktual: Ajo që mungon në dokumentacion e sjellë dhe nuk thuhet asgjëkundi është se si do të realizohet transferimi i portit të Durrësit në Porto Romano? Çfarë kosto ka ky transferim? Kush i përballon këto kosto? A do të sjellë kjo kosto të rritura për qytetarët dhe bizneset? Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këto pyetje, por ajo që dihet është se vetëm projekti ka kushtuar 10 mln Euro, ndërkohë që zëra të pavarur ekspertësh thonë se transferimi i portit në Porto Romano mund të kushtojë deri në 1 miliard Euro. Pra, kush i merr përsipër këto kosto dhe a i ka kalkuluar qeveria shqiptare këto kosto shtesë për realizimin e projektit të Portit të Durrësit?”, pyeti Alibeaj.

Enkelejd Alibeaj u pyet edhe për padinë që coi në Kushtetuese, Oerd Bylykbashi për çështjen në fjalë.  

“Ligji (i çuar në Kushtetuese) që ratifikonte një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve te Bashkuara i vitit 2020 nuk ka lidhje  me këtë marrëveshje. Ligji për Portin e Durrësit nuk është miratuar ende. Sipas Kushtetutës ligji mund të goditet në Kushtetuese vetëm në rastet kur dhe ende nuk është miratuar. Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shqyrtoje ligjin sepse nuk e ka në juridiksionin e vet… Opozitë reale po bëjmë ne”, tha Alibeaj duke shtuar se e kundërta ndodh nëse në Kushtetuese çon një ligj që nuk mund të goditet.

 “Përshëndes cfarëdolloj iniciative ligjore që denoncon korrupsionin dhe të njëjtën gjë do të doja që edhe në rastin e projektligjit ne ta çojmë në Kushtetuese dhe do të kërkojmë firmën e deputetëve”  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë