Gazeta Si – Në janar 2019 në Cyrih, nga podiumi i Worldwebforum, takimi vjetor i ideologëve të vetëquajtur të “botës digjitale”, Heinrich XIII Prinz Reuß shpjegoi vizionin e tij për botën: Monarkia? E shkatërruar nga financat hebreje.
Lufta e Parë Botërore? E shkaktuar nga masoneria e huaj. Hitleri? I mbështetur nga kapitali amerikan. Gjermania? Një vend jo sovran. Kushtetuta? Një tekst i shkruar nga aleatët për të dominuar Republikën Federale të Gjermanisë.
Nuk është çudi që familja e tij u distancua, duke e quajtur atë “një plak të rrjedhur”, që “beson në teoritë e rreme konspirative”.
Por në botën e krimit të Gjermanisë së sotme, ku neo-nazistët, nostalgjikë për Rajhun, adhuruesit e QAnon dhe teoricienët e konspiracionit të çdo brezi po vlojnë, pas atij fjalimi aristokratik të 71-vjeçarit, pronar i një kështjelle në Tyringen, ai është bërë hero dhe ndoshta diçka më shumë.
Prej mëngjesit të së mërkurës (7 dhjetor), Madhëria e Tij ndodhet në paraburgim në burgjet gjermane, në pritje të akuzës nga Prokuroria Federale si figurë qendrore e një rrjeti subversiv të ekstremit të djathtë, i cili synonte të rrëzonte sistemin politik të Gjermanisë me dhunë, për ta zëvendësuar atë me një qeveri autoritare, por me të në krye.
Heinrich XIII Prinz Reuß ishte i njohur për vite me radhë në Zyrën për Mbrojtjen e Kushtetutës, inteligjencën civile, të Hessen-it, e cila e mbante nën vëzhgim dhe e kishte kataloguar në mesin e Rajhsbüurgerit, qytetarët e Rajhut, që ëndërronin të ktheheshin në perandori dhe nuk e njohin autoritetin e shtetit.
Ai ishte shumë aktiv, organizonte takime me miq dhe bashkëpunëtorë, duke ëndërruar për revolta të ardhshme.
Por sipas hetuesve, të paktën prej një viti nismat e tyre kishin kaluar në plane konkrete subversive, në lidhje me një ish-oficer parashutist dhe me një ish-deputet të AfD-së, Partisë Nacionaliste Ultra të Djathtë.
Princi gjithashtu dyshohet se zgjeroi rrjetin e tij klandestin përtej Gjermanisë, në Zvicër dhe Austri.
Madje hetuesit po verifikojnë hipotezën se partnerja e tij e jetës, shtetësja ruse e identifikuar si Vitalia B., gjithashtu nën hetim, e ka ndihmuar duke tentuar të vendosë kontakte me autoritetet shtetërore të Federatës Ruse.
Dhe aq “plak i rrjedhur” nuk paska qenë, siç e minimizonte familja, sepse Heinrich XIII shfaq aftësi të mahnitshme organizative.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje