Ne rrjet

Video/ Tentativë për grusht shteti në Gjermani, arrestohen 25 ekstremistë të djathtë

Gazeta Si – Një grusht shteti për të rrëzuar pushtetin në Gjermani ka dështuar, ndërsa janë arrestuar 25 persona.

Të arrestuarit kishin planifikuar të sulmonin parlamentin gjerman e të merrnin pushtetin. Sipas agjencive të lajmeve të Moskës, është arrestuar edhe një grua me shtetësi ruse, Vitaliya B.

Në 11 shtete federale gjermane u kryen bastisje policore dhe u arrestuan 25 persona që i përkisnin organizatës “Qytetarët e Rajhut” (Reichsbürger) .

Mediat gjermane raportojnë se në mesin e të arrestuarve janë ekstremistë të djathtë dhe ish-ushtarakë, të cilët planifikonin të sulmonin godinën e Parlamentit gjerman dhe të merrnin pushtetin.

Organizatori i Rajhut

Një 71-vjeçar, i quajtur Heinrich XIII, dyshohet se ishte organizatori i grupit. Komplotuesit kanë qenë anëtarë të lëvizjes ekstremiste ‘Reichsburger’ që prej kohësh mbahej nën monitorim nga policia gjermane.

Në vitin 2019, ai u shfaq si folës në Forumin Worldweb në Zvicër, duke shpjeguar se Republika Federale nuk ishte një shtet sovran, por ende kontrollohej nga Aleatët.

Anëtarët e kësaj lëvizje refuzojnë të njohin shtetin modern gjerman dhe se planifikonin që ta zëvendësonin me një shtet të ri sipas modelit të Gjermanisë së 1871.

Organizata kishte vendosur tashmë se kush do të mbante poste të rëndësishme ministrore në kohën e “marrjes së pushtetit”.

Kush janë ekstremistët e djathtë të arrestuar

“Qytetarët e Rajhut” – antisemitët, në vijën e parë kundër masave anti-Covid dhe kundër shtetit federal gjerman – janë një galaktikë që teorizon nevojën që kufijtë gjermanë të kthehen “në Perandorinë e 1871 ose 1937”.

Sipas lëvizjes, qeveria aktuale gjermane nuk është gjë tjetër veçse “një kukull në duart e fuqive të huaja” dhe Republika Federale “konspiron kundër popullit të vet”.

Në praktikën e përditshme, militantët e grupit refuzojnë sistematikisht të paguajnë taksa dhe gjoba, siç shpjegon “Welt”.

Prona private, siç është shtëpia e dikujt, konsiderohet një “entitet i pavarur jashtë autoritetit të Republikës Federale”.

Për më tepër, ata nuk e njohin kushtetutën gjermane apo ligjet federale, aq sa prodhojnë vetë dokumentet e tyre të identitetit dhe patentat e drejtimit.

Reichsbürger, i lindur në vitet 1980, tani ka rreth 20,000 mbështetës, sipas inteligjencës gjermane.

Nga këta, rreth 950 janë identifikuar si militantë të ekstremit të djathtë dhe të paktën një mijë kanë patenta për armë zjarri. Shumë prej tyre përkrahin antisemitizmin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë