Bota

Rritet bilanci, 11 protestues të dënuar me vdekje kundër regjimit në Iran

Gazeta Si – Mohsen Shekari i pari, njëmbëdhjetë të tjerë (të paktën) raportohen pas tij. Nga drejtësia iraniane nuk kanë dalë emrat e demonstruesve të dënuar me vdekje për protestat që kanë ndezur vendin që prej shtatorit, por vetëm një numër: njëmbëdhjetë.

“Amnesty International” hipotezon se të paktën 28 ​​janë në rrezik të ekzekutimit.

Emrat mbahen “të fshehur qëllimisht nga autoritetet e Republikës Islamike”, sipas OJQ-së “Iran Rights Watch” (e cila është me seli në Norvegji).

“Qëllimi është të reduktohet kontakti i tyre me familjet respektive dhe të parandalohet aksesi i barabartë në mbrojtje”.

Shefi i drejtësisë iraniane, Gholam-Hossein Mohseni-Ejèi, njoftoi të hënën se “dënimet e vendosura për protestat” do të zbatohen së shpejti dhe 23-vjeçari i varur dje ishte në fakt, i pari.

Dënimet me vdekje dyshohet se u nënshkruan – sipas dy OJQ-ve kryesore që monitorojnë situatën e të drejtave të njeriut në vend, “Hrana” dhe “Iran Rights Watch” – në dy procese të ndryshme, më 30 nëntor dhe 5 dhjetor.

“Iran Rights Watch” raporton se tre nga të dënuarit janë të mitur: 17, të arrestuar në Karaj për vrasjen e Ruhollah Ajamian, anëtar i “Basij” (emri i milicisë paraushtarake) në një përleshje, i cili etiketohet tashmë si “martir” nga autoritetet gjyqësore.

Ai vdiq në shërbim më 12 nëntor, të rinjtë u arrestuan më 14 nëntor; dënimi me vdekje – i paligjshëm sipas ligjit ndërkombëtar dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, të cilin Irani e ka ratifikuar – u nënshkrua në më pak se një muaj. Ndaj tyre qëndron akuza e “efsad-fil-arz”, “korrupsion në tokë”.

Nga gjashtë të dënuarit më 30 nëntor, përveç tre 17-vjeçarëve, vetëm dy emra janë të sigurt: Mohammad Ghobadlu, i cili dyshohet se ka përplasur një makinë policie, duke vrarë një oficer policie; Sahand Nour Mohammadzadeh, i cili dyshohet se i vuri zjarrin një ndërtese publike.

Më 5 dhjetor, gjykata revolucionare e provincës së Alborzit dënoi pesë persona me vdekje. Janë pesë nga 16 të akuzuarit për vrasjen e një polici më 3 nëntor, në rrugën midis Karaj dhe Qazvin, në veriperëndim të kryeqytetit; ata po demonstronin në një marshim për vrasjen e një bashkëqytetari Hadis Najafi, kur forcat e sigurisë i sulmuan.

Një tjetër protestues, Majidreza Rahnavard, i arrestuar në Mashad, u dënua për “moharebeh” (armiqësi kundër Zotit) për vrasjen e dy rojeve me thikë; ekzekutimi i tij, i cili ishte caktuar për në nëntor, është shtyrë.

Nga ana tjetër, pas ditësh mobilizimi edhe ndërkombëtarisht, i është mohuar dënimi me vdekje trajneres së volejbollit dhe nënës së tre fëmijëve, Fahimeh Karimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë