Bota

Iran, ekzekutimi i parë me vdekje i një protestuesi: Armiqësi kundër Zotit!

Gazeta Si – Autoritetet gjyqësore iraniane, njoftuan se kanë kryer dënimin e parë me vdekje për një protestues. Mohsen Shekari, 23 vjeç është varur. Ai ishte arrestuar gjatë protestave disa mujore që prej vrasjes së Mahsa Aminit nga policia morale.

Shekari u akuzua për bllokimin e një rruge më 25 shtator në Teheran, ku gjatë “trazirave” thuhet se kishte nxjerrë thikën me qëllim për të vrarë një pjesëtar të forcave paramilitare.

Seanca u mbajt më 10 nëntor dhe i pandehuri – siç raportohet nga gjyqësori iranian – “rrëfeu”. Si përfundim, gjykata revolucionare e shpalli atë fajtor për “armiqësi kundër Zotit”.

Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i të Drejtave të Njeriut në Iran me qendër në Norvegji, postoi në Tëitter se ekzekutimet e protestuesve do të fillojnë të ndodhin çdo ditë nëse autoritetet iraniane nuk përballen me “pasoja të shpejta praktike në nivel ndërkombëtar”.

Drejtësia iraniane ka njoftuar deri më tani, se 11 persona janë dënuar me vdekje për protestat që filluan në mesin e shtatorit pas vrasjes – e cila ndodhi gjatë paraburgimit të policisë së moralit – të Mahsa Amini, e arrestuar për veshjen e hixhabit të saj “në mënyrë të pahijshme”.

Protestat, të udhëhequra nga gratë, janë përhapur në 160 qytete në të gjithë 31 provincat e vendit dhe janë parë si një nga sfidat më serioze me të cilat përballet Republika Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Udhëheqësit iranianë i përshkruan ato si “trazira” të nxitura nga armiqtë e huaj të vendit dhe urdhëruan forcat e sigurisë që “të merren me to në mënyrë të vendosur”.

Deri më tani – sipas burimeve jozyrtare – të paktën 475 protestues janë vrarë dhe 18,240 janë arrestuar.

Ditët e fundit, pas demonstratave, Prokurori i Përgjithshëm i Iranit kishte njoftuar shpërbërjen e policisë morale, por njoftimi nuk ka gjetur ende konfirmim zyrtar nga qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë