Bota

‘Qatar-gate’, Parlamenti Europian shkarkon Eva Kailin. Kontrollohen zyrat në Bruksel

Gazeta Si – Parlamenti Europian ka miratuar shkarkimin e eurodeputetes greke Eva Kaili nga posti i nënkryetares së PE pas arrestimit nga policia belge për korrupsion.

Seanca plenare votoi pro me një shumicë prej më shumë se dy të tretave (625 vota), siç parashikohet nga Parlamenti. Gjatë seancës, u regjistrua një votë kundër dhe dy abstenime. Votimi u mbajt me thirrje me emër, me kërkesë të grupeve S&D, të së Majtës dhe ID-së.

Kroati Mislav Kolakusiç votoi kundër. Holandezi i Ecr, Dorien Rookmaker dhe gjermani i Id, Joachim Kuhs abstenuan.

Përmes avokatit të saj, zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian Eva Kaili  ka dhënë deklaratën e saj të parë lidhur me akuzat për përfshirjen në “Qatar-gate”.

Ndërkohë, hetuesit belgë kanë kontrolluar zyrat në Parlamentin Europian në Bruksel të hënën, si pjesë e hetimeve që po kryhen për dyshimet e korrupsionit nga Katari.

Sipas asaj që shkruan BBC, ky ishte kontrolli i 20 që prej të premtes dhe Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola paralajmëroi eurodeputetët se, “demokracia është nën sulm”.

Policia belge deri më tani ka ngritur akuza ndaj 4 personave, në mesin e tyre edhe ndaj zv/presidentes së PE, Eva Kaili, eurodeputete greke.

Duke folur për një televizion grek,  avokati i eurodeputetes thekson se ajo është e pafajshme dhe këmbëngul se nuk ka lidhje me akuzat që rëndojnë mbi të.

“Nuk ka asnjë lidhje me financimin nga Katari. Ky është pozicioni i saj. Shprehimisht dhe kategorikisht. Detaje nuk mund të them, sepse është e ndaluar”, ka thënë avokati Michalis Dimitrakopoulos. Megjithatë, ai thotë se nuk e di nëse janë gjetur para apo sa janë gjetur.

Me skandalin “Qatar-gate” që tashmë ka marrë formën e një orteku në zemër të BE-së, zhvillimet në Bruksel dhe Strasburg priten të jenë të shpejta, ku në qendër të akuzave janë Kaili dhe katër persona të tjerë.

Ata akuzohen për pjesëmarrje në krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe korrupsionin, ndërsa pritet që hetimet në kryeqytetin belg të zgjerohen.

Kaili po ashtu është pezulluar nga parlamenti i grupeve Socialiste dhe Demokrate dhe u përjashtua nga partia greke e qendrës së majtë, Pasok. Hetuesit në Greqi po ashtu kanë ngrirë të gjitha asetet e Kailit, bashkëshortit dhe familjarëve të saj.

Media belge “Le Soir” ka publikuar foton e parave që policia ka gjetur në shtëpinë e eurodeputetes greke Eva Kaili dhe dhe ish-deputetit italian Antonio Panzeri, nga çështja “QatarGate”. Sipas medias, shuma e sekuestruar nga autoritetet belge i kalon 1.5 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë