Bota

‘Qatar-gate’, eurodeputetja greke Eva Kaili flet nga burgu: Në fillim mendova vetëvrasjen

Gazeta Si – Eurodeputetja Eva Kaili, e cila ndodhet në burg që prej dhjetorit në kuadër të hetimeve për çështjen “Katar-gate”, flet për ndalimin e saj.

“Në gjashtë javët e para më ndodhi të mendoja disa herë për vetëvrasjen, më pas diçka kaloi”, thotë ajo në një intervistë me Deborah Bergaminin, deputete e Forza Italia, anëtare e delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. “Jam e pafajshme, do ta vërtetoj”, siguron Kaili.

“Pas zhurmës së ditëve të para të kësaj afere, askush nuk flet më”, shprehet politikania greke, për “Corriere della Sera”.

“Unë nuk ndihem viktimë, ndihem si një trofe i një persekutimi politik që përfshin një paragjykim, një paragjykim që në çdo rast ekziston ndaj parlamentarëve dhe politikanëve të Evropës Jugore. Maltezët, grekët, italianët etj”.

Ndërkohë, në frontin e betejës ligjore, eurodeputetja apeloi në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së, duke kërkuar “të anulojë vendimin e Kryeprokurorit Evropian të datës 15 dhjetor 2022, që përmban kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar dhe “të anulojë Vendimin e Presidentit të Parlamentit Evropian, i datës 10 janar 2023, për ta shpallur këtë kërkesë gjatë seancës plenare të Kuvendit dhe për t’ia referuar Komisionit për Çështjet Ligjore”.

Ka disa arsye në mbështetje të apelimit. “Arsyeja e parë, e cila ka të bëjë me mungesën e kompetencës së Kryeprokurorit Evropian për nxjerrjen e aktit kontestues: në përputhje me dispozitat në fuqi të Nenit 9 të Rregullores së Punës së Parlamentit Evropian, në kohën kur Kryeprokurori Evropian miratoi vendimin e tij të datës 15 dhjetor 2022, vetëm Shtetet Anëtare ishin të autorizuara për të nxjerrë një vendim të tillë”.

“Pretendimi i dytë, ka të bëjë me shkeljen e dy kërkesave thelbësore procedurale: mungesë motivimi, Kryeprokurori Europian nuk heton nëse ka apo jo një rast flagrante dhe nëse privilegjet dhe imuniteti i apeluesit pengojnë apo jo hetimin e pretenduar për parregullsi, shkelje të të drejtave të mbrojtjes. As Kryeprokurori Evropian dhe as Presidenti i Parlamentit Evropian nuk e lejuan aplikantin të merrte kopje të dokumenteve në bazë të vendimeve të tyre. Për më tepër, kërkuesi nuk u dëgjua para miratimit të akteve të kontestuara për arsye, e cila ka të bëjë me mungesën e motivimit të mjaftueshëm dhe adekuat”.

Në qelinë e saj ajo qëndron e vetme dhe Kaili studion frëngjisht dhe holandisht. “Kur të përfundojë kjo histori, – thotë, – dua të filloj sërish të merrem me politikë”.

Akuza është ajo e korrupsionit. Kaili dyshohet se u përpoq të ndikojë në vendimet e Parlamentit Evropian në lidhje me Katarin në këmbim të parave.

Në shtëpinë e saj janë gjetur 600,000 euro cash. Hetimet janë duke u zhvilluar, në fund të prillit gjyqtarët do të duhet të vendosin nëse do të zgjasin masën e paraburgimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë