Politike

Vizita në Himarë, pikat që nuk bashkuan Mitsotakis dhe kryeministrin Rama

Kyriakos Mitostaqis zgjodhi të vizitojë Himarën dhe zonat minoritetit në Dropull, duke rikthyer aktin e 30 viteve më parë, ku një kryeministër i shtetit fqinj vizitonte jugun e Shqipërisë. E si për koincidencë, kryeministër i tre dekadave më parë ishte babai i tij, Kostandinos Mitsotaqis. Tabloja ishte e ndryshme dhe sigurisht koha, pasi babai i tij e vizitoi Shqipërinë ku ekzistonte ende regjimi komunist. Por mes dy vendeve ekziston në fuqi ligji absurd i luftës, për të cilin Greqia po refuzon ta shfuqizojë, pasi prapa fshihet çështja e pronave të popullsisë shqiptare të krahinës së Çamërisë. Athina zyrtare ndërkohë ngulmoi edhe sot në pronat e minoritarëve, edhe pse në fakt ato i gëzojnë me ligj. Sot “Kathimerini” në një artikull të sajin mbi vizitën e kryeministrit grek, përmbante një deklaratë që nuk ishte artikuluar ndonjëherë më parë nga ndonjë zyrtar i lartë grek dhe pikërisht nga Himara, qyteti që Greqia e ka “pikë të dobët” dhe e konsideron si greke. “Unë jam dhe do të mbetem mbështetës i rrugës europiane të Shqipërisë dhe detyrimi i Shqipërisë është të respektojë plotësisht të drejtat tuaja në çështjen e vetëvendosjes, në çështjen e gjuhës dhe në çështjen e të drejtave tuaja pronësore”, tha Mitsotaqis, i cili shtoi se ai ishte krenar që ishte kryeministri i parë grek që vizitonte qytetin. Ndërsa flamujt të shumtë grekë valëviteshin në Himarë.

Por gjatë vizitës në jugun e Shqipërisë, mes Ramës dhe Mitsotaqis pati ndarje të qartë në qëndrime në deklaratat e tyre.

Rama iu kundërpërgjigj duke rrëzuar pretendimet për pronat e minoritetit grek. “Nuk ka një çështje pronash të minoritetit, çështja e pronave është tërësore dhe nuk ka asnjë lloj dallimi mes askujt nga pikëpamja e të mirave dhe nga pikëpamja e të këqijave. Ndajmë të mirat, ndajmë dhe të këqijat”, tha Rama për gazetarët. Ndërsa në Derviçan, Rama pavarësisht batutave me homologun grek për bustet, e mbylli fjalimin duke i kujtuar atij se po viziton një territor shqiptar, e jo grek. “…është vërtet nder që të mik presim këtu dhe fjala është për ty sepse këta janë mbledhur këtu për ty, asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë për mua, që ta dish, por një gjë të përbashkët e kemi, që të konsiderojmë po njësoj mik dhe vëlla këtu në tokën tonë!”, tha Rama përpara se t’i jepte fjalën kryeministrit grek.  Ndërsa si pjesë e populizmit të Mistotaqis, i cili është në kërkim të një mandati tjetër si kryeministër,  mund të përmendet edhe shfaqja e tij me ish-peshëngritësin Piro Dhima. E gjithë vizita e kryeministrit grek, së cilës nuk i mungoi jehona në median greke lidhet me faktin se në qershor vendi tij do të shkojë drejt zgjedhjeve parlamentare, ndaj dhe ai po rrit presionin si për çështjen e paktit detar, ashtu edhe tonet nacionaliste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë