Bota

Brazil, arrestohen rreth 1.500 mbështetës të Bolsonaros. Mbahen tubime pro-demokracisë

Gazeta Si – Në Brazil deri më tani “rreth 1500” persona janë arrestuar si të dyshuar gjatë sulmit ndaj ndërtesave të pushtetit në Brazilia nga mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro.

Të dhënat u komunikuan nga ministri i Drejtësisë, Flavio Dino. Ndërkohë, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Federale, Alexandre de Moraes ka urdhëruar shkarkimin e guvernatorit të Distriktit Federal të Brasilia Ibaneis Rocha për një periudhë 90-ditore.

Sipas gjyqtarit, “përshkallëzimi i dhunshëm i veprave penale është një rrethanë që mund të ndodhë vetëm me pëlqimin, por edhe me pjesëmarrjen efektive, të organeve kompetente për sigurinë publike dhe inteligjencën”.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka treguar gjithashtu se cilat do të jenë hapat e ardhshëm për identifikimin e personave që morën pjesë në sulmin ndaj godinave institucionale të Brazilias.

Ndër masat e tjera, thuhet në të, autoritetet do të analizojnë listat e të ftuarve në hotelet dhe bujtinat e kryeqytetit, do të analizojnë imazhet e kamerave të sigurisë dhe të dhënat e vendndodhjes, si dhe do të hartojnë pronarët, pasagjerët dhe financuesit e autobusëve që sollën përkrahësit e ‘ish-presidentit Bolsonaro në Brazilia.

Pas sulmit ndaj institucioneve në kryeqytetin e Brazilit, mijëra demonstrues pro-demokracisë dolën për të kërkuar dënim për përgjegjësit e dhunës.

Shumë prej demonstruesve e cilësuan sulmin si momentin më të keq në historinë e Brazilit që nga grushti i shtetit të vitit 1964 që vendosi një diktaturë ushtarake.

Ndërkohë, gruaja e Bolsonaros ka konfirmuar se burri i saj është shtruar në spital në Shtetet e Bashkuara.

“Ju informoj se bashkëshorti im është nën vëzhgim në spital, për shkak të shqetësimit abdominal si pasojë e pasojave të plagës me thikë të pësuar në vitin 2018”, ka shkruar ajo në Instagram.

Bolsonaro është shtruar në spital në Orlando, Florida. Ish-presidenti udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara dy ditë para se Lula të merrte detyrën. Ai ka një obstruksion të pjesshëm të zorrëve që nuk duhet të kërkojë kirurgji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë