Kryetari i PD-së, Sali Berisha e fokusoi bashkëbisedimin e të premtes me mediat tek protesta e të shtunës dhe dosja McGonigal.
“Protesta e ditës së nesërme, thirrja e saj ka një impakt të jashtëzakonshëm tek qytetarët shqiptarë dhe pritet me një interes të madh në mbarë botë.
Mund tu them se kjo është protesta, në të gjithë memorien time që ka zgjuar interesin më të gjallë, jo vetëm në Shqipëri, ku në të gjitha qytetet, fshatrat, rrugicat, rrugët, kafenetë, klubet, restorantet nuk flitet për gjë tjetër veç se për këtë protestë, por interes të madh në mbarë botën, veçanërisht në SHBA dhe vendet e Europës.
Kjo është një protestë me të cilën shqiptarët i përgjigjen flakë për flakë, ‘Watergatit’ të shekullit të 21, njërit prej skandaleve më të mëdha të kohërave, reagojnë për largimin e kryeministrit i cili për karrigen e tij nuk ngurroi të korruptojë dhe ta përdorë si vrasës me pagesë, zbuluesin, ndoshta më të rëndësishëm të planetit.
Përmasat e aferës e shumëfishojnë çdo ditë interesin për protestën e shqiptarëve, sikundër theksoj këtu se Edi Rama është absolutisht i pashpresë. Ai ka fshehur krimin para drejtësisë shqiptare dhe asaj të SHBA. Ai është në hetim të thellë në SHBA dhe ai hetim është shterrues për të gjithë veprimtarinë e tij kriminale ndaj vendit partner, aleat, udhëheqës kryesorë i NATO-s, dhe sigurisë në botë”, tha Berisha.
Berisha më pas ceku një bisedë të zhvilluar në Vjenë nga McGonigal në prani të Agron Nezës dhe një biznesmeni shqiptar i pacituar më emër i përmendur në akt-akuzën e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.
“Tani dimension tjetër i aferës McGonigal, ky mashtrues ordiner, ky mashtrues amoral që u tha shqiptarëve se, sa e kam pritur një herë në zyrë dhe më dërgoi një sms dhe ishte një shoqërues me të, ky së pari e ka angazhuar këtë për Tom Doshin dhe Vangjush Dakon.
Ka angazhuar ministrat e tij dhe së bashku me Tom Doshin, ose Vangjush Dakon, por Toma ka qenë në Vjenë, ai kundër dëshirës së saj, ka urdhëruar dhe ka nisur Etilda Gjonin, ministre të Drejtësisë. E sigurtë, në një aktivitet kryekëput në shkelje të vendit dhe ligjeve të SHBA.
Etilda Gjoni nuk është as hetuese, as prokurore, as gjykatëse. Ajo nuk kishte asnjë motiv që të nisej, sepse Toma paguante 5 milionë euro për hetim, McGonigalit, për të hetuar gjoja atentatin që gjoja i kishin organizuar.
Pra hetimi në Vjenë, nuk u organizua nga Toma, por u organizua nga qeveria për Tomën, me qëllimin që njeriun që kishte zgjedhur për president, ta akuzonte për vrasës. E keni parasysh se çfarë i thoshte Durim Bami, Tomës, që më ka thirrur Ilir Meta dhe më ka bërë këto e këto.
Pra edhe në këtë aspekt, Edi Rama ka kryer një krim të shëmtuar. Nuk ka dashur të shkojë ministrja, të jemi të hapur këtu. Përkundrazi i ka bërë të qartë që kjo nuk është detyra e ministrit. Të dërgojmë prokurorë, por Edi Rama ka dërguar ministren.
A ka marrë pjesë në pyetje ministrja, a ka marrë pjesë në proces, kjo është histori e turpshme, ky është shteti i bandave, i banditëve”, tha Berisha.
Më tej ai shoi: “McGonigal, Erion Veliaj, ministra kanë bërë orgjira në night clube dhe lokale gjysmë në errësirë në Tiranë. Janë të fotografuara. A publikohen fotot apo jo, por kjo që them është e sigurt. Ka një hetim ndërkombëtar tani, Ne do e japim kontributin tonë, Komisioni do hetojë çdo akt.
Të gjitha takimet e McGonigal me Edi Ramën, Belinda Ballukun, Erion Velinë. Çdo takim të tij. Ai është sjellë këtu si një njeri i cili përpiqej të imponohej me detyrën e tij. Rrethanat tregojnë qartë se vetëm në rast se kanë qenë budallenj rusët se ndryshe ky nuk kishte si të mos jetë një agjent i atij vendi. Po përpiqen të stisin variantin se paratë i ka paguar Duçka sipas këtij variant përmes një shtetasi turk.
Janë përpjekje nga më të ndryshmet për të shpëtuar nga rryma që po i merr. Dhe thuhet se ky shtetas ia ka dhënë Agron Nezës me porosi të Duçkës. Se Duçka është njeriu më i afërt i Edi Ramës. Duçka është jashtëzakonisht i rrezikshëm”.
Sipas tij, po bëhen përpjekje nga më të ndryshmet për të shpëtuar Ramën në historinë me McGonigal.
Berisha akuzoi gjithashtu se Rama ka përdorur McGonigal kundër prokurorëve që hetuan Saimir Tahirin
“McGonigal me kërkesë të Ramës, ka bërë gjah për prokurorë të caktuar që t’i nxjerrin nga sistemi. Prokurorë që janë marrë me çështjen e Saimir Tahirit janë nxjerrë nga sistemi sepse ky u hiqej si njeriu që dinte gjithçka dhe që duhej marrë fjala e tij parasysh. Deri këtu ka arritur degradimi i vettingut nga Edi Rama”, tha ai.
Berisha i beri thirrje edhe SHISH të qëndrojë jashtë ndikimit politik. Në të kundërt sipas tij PD do zhvendosë protestat edhe para SHISH.
“Në protestën e nesërme, paralajmëroj policinë të mbajë qëndrimin më korrekt. Çdo protestues i lënduar, do të konsiderohet i persekutuar politik dhe persekutori i tij do të përgjigjet edhe pas 30 vitesh.
Paralajmëroj policinë, punonjësit e SHISH, të kenë shumë kujdes, madje të mos futen fare ne turmë. Sepse në SHISH po ndodh, edhe ai do të ketë ‘name and shame’, ai po shkatërron institucionin. Ky këshilltari i Edi Ramës që shkon aty, po shpërbën institucionin”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje