Kuvendi do të mblidhet sot duke patur mbi kokë si çekan protestën e opozitës e paralajmëruar të shtunën nga udhëheqësi i ‘Foltores’ , Sali Berisha.
Megjithëse është një ditë zie kombëtare dhe axhenda formale e kuvendit i dedikohet ‘çështjeve që shqetësojnë zgjedhësit’ ajo nuk do të jetë një seancë e lehtë.
Berisha dhe mbështetësit e tij, kërkojnë që kryeministri Edi Rama të japë llogari për çështjen e hetimit të nisura nga drejtësia amerikane ndaj ish-shefit të FBI-së së kundërzbulimit, Charles McGonigal.
Por kryeministri Edi Rama për tretën herë radhazi do të mungojë në seancën parlamentare.
Ai ka lajmëruar që fiks në orën kur nis seanca do të mbajë një konferencë shtypi me Kryeministrin e Bavarisë, Markus Soder i cili zhvillon vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gazeta “Si” ka mësuar se socialistët kanë gati skenarin që në rast se protesta merr përmasa të parashikueshme, apo tentohet të bllokohet foltorja nga deputetët e opozitës.
Deputetët e mazhorancës janë lajmëruar që të hyjnë në sallën e Parlamentit në orën 16:00, një orë përpara nisjes zyrtare të seancës, për të shmangur ndonjë incident.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla paralajmëroi se” nëse do të tentohet bllokimi i seancës apo i foltores, deputetët do të përjashtohen, duke thelluar akoma më shumë numrin e të ndëshkuarve nga radhët e opozitës”
Gazeta ‘Si’ ka mësuar se Garda e Republikës ka krijuar një kanal sigurie për të nxjerrë deputetët që janë brenda sallës në rast se protestuesit do të tentojnë që depërtojnë në oborrin e Parlamentit.
Ndërkohë seanca do të ndërpritet nga kryeparlamentarja Lindita Nikolli nëse foltorja do të bllokohet nga deputetët e opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje