Politike

Protesta e pasdites, Berisha e Meta bëhen bashkë por me mesazhe të ndryshme

Kryetari i PD-së Sali Berisha ftoi demokratët të protestojnë para Kuvendit pasdite para fillimit të seancës parlamentare. Berisha ftoi demokratët, ndërsa Ilir Meta i ftoi të gjithë pa dallim pak minuta më pas, edhe ai në një protestë para Kuvendit.

Berisha tha se Kuvendi duhet të ketë vetëm nje axhende, dosjen McGonigal, ndërsa Meta e kishte më politike thirrjen kur tha se Kuvendi po asgjeson opozitën.    

“…Superskandali Rama-McGonigal, apo Rama-McGonigal-Gate ka tronditur opinionin publik në SHBA në Europë dhe në Shqipëri.

Në këtë superskandal dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali.

Kjo dosje është historiku i korruptimit të kryezbuluesit të FBI, pagesën e tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare.

Pasojat e këtij korruptimi janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA po heton, dhe ne kemi besim te hetimi i tyre, por natyrisht është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal.

Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë agjendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama-McGonigal”, tha Berisha pak orë para protestës.

“Zëri juaj dhe prania juaj ka një rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Ajo sot është shndërruar në fiktivitet. Ajo sot është irreale, por duhet secili të qendrojë, duhet të rezistojmë. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë.

Ju e shihini, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 shkurt. Ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Tallen me protestën e tyre të jashtëzakonshme.

Ky është morali i tyre, ky është karakteri i tyre.

Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar”, tha ai.

Kryetari i PL-së, Ilir Meta po ashtu bëri thirrjen e tij

“Edi Rama kërkon të asgjësojë Kuvendin, sepse kërkon të asgjësojë pluralizmin dhe llogaridhënien, të asgjësojë opozitën që  përfaqëson vullnetin e 750 mijë qytetarëve që i kanë ngarkuar detyrën e shenjtë të kontrollojë në çdo hap veprimet mafioze të kësaj Qeverie të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.

Bllokimi mafioz i të gjithë projektligjeve të opozitës, i komisioneve hetimore, i interpelancave, i heqjes të së drejtës së fjalës, i largimit nga Këshilli i Integrimit Europian, i përjashtimit të deputetëve, i bllokimit të informacionit që deputetët i kërkojnë Qeverisë janë krime të vërteta ndaj Kuvendit të kryera nga Edi Rama dhe “Rilindja”.

Kuvendi po kthehet në një zyrë noteriale për korrupsionin e Kryeministrit në largim, ku mungon llogaridhënia, roli mbikqyrës dhe kontrollues dhe vetëm miratohen ligjore me porosi kundër interesit publik dhe kombëtar”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë