Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha të martën përmes një deklarate për mediat se pavarësisht se kishin kaluar 15 ditë nga kërkesa e tij drejtuar SPAK për të marrë informacion lidhur me çështjen ‘McGonigal’, ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
Në një deklaratë për mediat, lidhur me kërkesat e tij drejtuar disa institucioneve për McGonigal, deputeti tha se vetëm ministria e Brendshme kishte kthyer përgjigje ku sqaronte se asnjë zyrtar i kësaj dikasteri nuk kishte pasur takime me ish zyrtarin e lartë të FBI-së.
SHISH në anën tjetër i është përgjigjur se për këtë cështje, ky institucion informon vetëm kryeministrin Edi Rama.
“Prej një muaji të gjithë mediat ndërkombëtare kanë vendosur në fokus aferën Rama-McGonigal. Të gjitha institucionet për shkak të frikës ndaj Ramës kanë frikë të kthejnë përgjigje. Në kuvend me urdhër të Ramës është bllokuar kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor. Institucionet janë vendosur në shërbim të tij. Po i përdor si kamzhik politik”, tha Salianji.
Ai tha gjithashtu se edhe nisma e PS për hapjen e dosjeve është nul pasi nuk do ndërmerret për deputetët.
“Farsa me hapjen e dosjeve ishte një lojë politike. Institucionet përdoren, dhe parlamentet dhe autoriteti përdoren për luftën e kundërshtarit politik dhe nuk ka hapje dosjesh. Kur nuk hapen dosjet për deputetët, nëse kanë qenë pjesë e ish sigurimit të shtetit, tregon që ky është një proces nul dhe farsë” tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje