Politike

A kanë pasur kontakte me McGonigal? Salianji: SPAK pa përgjigje, SHISH ia çon vetëm Ramës

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha të martën përmes një deklarate për mediat se pavarësisht se kishin kaluar 15 ditë nga kërkesa e tij drejtuar SPAK për të marrë informacion lidhur me çështjen ‘McGonigal’, ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare.

Në një deklaratë për mediat, lidhur me kërkesat e tij drejtuar disa institucioneve për McGonigal, deputeti tha se vetëm ministria e Brendshme kishte kthyer përgjigje ku sqaronte se asnjë zyrtar i kësaj dikasteri nuk kishte pasur takime me ish zyrtarin e lartë të FBI-së.

SHISH në anën tjetër i është përgjigjur se për këtë cështje, ky institucion informon vetëm kryeministrin Edi Rama.

“Prej një muaji të gjithë mediat ndërkombëtare kanë vendosur në fokus aferën Rama-McGonigal. Të gjitha institucionet për shkak të frikës ndaj Ramës kanë frikë të kthejnë përgjigje. Në kuvend me urdhër të Ramës është bllokuar kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor. Institucionet janë vendosur në shërbim të tij. Po i përdor si kamzhik politik”, tha Salianji.

Ai tha gjithashtu se edhe nisma e PS për hapjen e dosjeve është nul pasi nuk do ndërmerret për deputetët.

“Farsa me hapjen  e dosjeve ishte një lojë politike. Institucionet përdoren, dhe parlamentet dhe autoriteti përdoren për luftën e kundërshtarit politik dhe nuk ka hapje dosjesh. Kur nuk hapen dosjet për deputetët, nëse kanë qenë pjesë e ish sigurimit të shtetit, tregon që ky është një proces nul dhe farsë” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë