Avokati Genci Gjokutaj njëherazi edhe anëtar i kryesisë së PL-së ka sjellë një interpretim ligjor mbi atë që duhet të vendosë Apeli në datë 3 mars.
Vendimi, sipas argumentit që sjell Gjokutaj, praktikisht nuk do t’i japë të drejtë padisë së Alibeajt sepse nuk do ta shqyrtojë çështjen në themel.
Gjokutaj jep argumentet e tij se pse.
“Më datën 3 mars Gjykata e Apelit Tiranë nuk do të gjykojë statutin e Rithemelimit e PD të datës 11 dhjetor 2021 pasi:
1. Gjykata e Apelit në fillim të gjykimit në bazë të ligjit verifikon praninë e palëve dhe legjitimimin aktiv të tyre dhe posaçërisht legjitimimin e ankuesit (Alibeaj &Co) që ka ankuar çështjen!
2. Gjatë verifikimit të legjitimimit aktiv të ankuesit (Alibeaj & Co) Gjykata e Apelit do të konstatojë se ankuesi jo vetëm që nuk ka qenë palë në gjykimin në shkallë të parë por as e ka kërkuar një gjë të tillë me kërkesë për njohjen e tyre (Alibeaj & Co) si palë e interesuar!
3. E vetmja kërkesë që ankuesit (Alibeaj & Co) kanë bërë gjatë gjykimit në shkallë të parë ka qenë përjashtimi i gjyqtarit të çështjes Z. Agron Zhukri nga gjykimi i çështjes!
Kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtarit Z. Arben Konstandini i cili ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Alibeaj & Co për përjashtim të gjyqtarit Z. Agron Zhukri pikërisht për shkak të mungesës së legjitimimit aktiv!
Pra, i palegjitimuari për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit të shkallës së parë u legjitimoka që të ankohet ndaj vendimit të këtij gjyqtari (Agron Zhukri) siç në mënyrë haptazi të kundërligjshme ka ndodhur!”, argumenton Gjokutaj
Në këto kushte, sipas tij, Gjykata e Apelit është e detyruar që në fillim të gjykimit të vendosë mospranimin e ankimit të ankuesit (Alibeaj & Co) për mungesë të legjitimimit aktiv të tij pa i hyrë fare dhe pa shqyrtuar shkaqet e paraqitura në ankim.
“Kjo është rruga ligjore dhe kështu do të ndodhë! Kush mendon dhe shpreson ndryshe nuk mund të ndihmohet dot as me presion politik dhe as me para!”, shkruan Gjokutaj.
Por edhe nëse gjykata vendos mbi këtë argument, debati duket se do të mbetet i hapur, sa kohë që edhe në kushtet aktuale, secila palë pretendon të ketë partinë me vulë.
Paralelisht ka një debat tjetër të emrit të Lulzim Bashës si kryetar i PD në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës. Prej kohësh, Berisha është shprehur se gjykata duhet të reflektonte ndryshimet e reja në regjistër, pas vendimit të Agron Zhukrit, (gjyqtarit të Shkallës së Parë), gjë që nuk është bërë.
Ndërkohë, Ilirjan Celibashi është shprehur se ai do të zbatojë çdo vendim të gjykatës lidhur me debatin se cilën PD duhet të regjistrojë. Se si do të duhet ta interpretojë Celibashi vendimin nëse Apeli ndjek logjikën juridike të Gjokutajt, kjo mbetet për t’u parë.
Data 6 mars është afati i fundit për regjistrimin e partive në zgjedhje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje