Politike

Protestë dhe seancë, Rama në Japoni, Berisha i përjashtuar. Balla, ‘Rithemelimit’: Pas 3 marsit nuk do jeni më kështu   

Seanca e të enjtes nuk ndryshoi nga ajo e javës së kaluar. Deputete e përjashtuar nga Kuvendi me votat e PS tentuan të futën sërish në sallë. Pak tension dhe gjithçka iu kthye normalitetit. Protestë jashtë ambienteve të Kuvendit ndërsa brenda sallës secili prej deputetëve të PD-së kërkoi fjalën,

Kryeministri Edi Rama nuk ndodhej në seancë për shkak të një vizite zyrtare në Japoni. Sali Berisha po ashtu nuk ishte në sallë për shkak së është i përjashtuar më vendim Kuvendi për 10 ditë.

Deputetë të Rithemelimit kërkuan që mocioni me debat të zhvillohej këtë të enjte jo në datën 2 mars.

Ata kërkuan gjithashtu të mblidhej Byroja e Kuvendit për të shqyrtuar ankesën e deputetëve të përjashtuar me argumentin se PS ka shkelur rregulloren.

Paralelisht me diskutimet brenda sallës, jashtë saj në krye të një grumbulli njerëzish mbajtjen fjalën kryesisht deputetet e përjashtuar. Një prej tyre, Oerd Bylykbashi tha se gjendemi në një regjim fashist.

Debati vijoi edhe brenda Kuvendit.  

“…Pamjet e shëmtuara të parlamentit përsëriten e përsëriten për këtë ushtrim force ushtarake ndaj deputetëve të zgjedhur. Kërkuan të jenë prezent në mbledhjen e Byrosë. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të deputetit. Deputeti që ankimohet për vendimin duhet të jetë prezent ose përfaqësues ligjor. Si mundet ju zonja kryetare të shkelni rregulloren dhe të bëni sikur s’ka ndodhur asgjë. Urdhrat nga Rama i merrni. Kemi kërkuar që nga java e shkuar seancë pyetjesh që është urgjente që kryeministri duhet të ishte prezent menjëherë, kemi 2 javë që e kërkojmë. Kemi kërkuar komisione hetimore, njëri i firmosur nga 35 deputetë, i dyti për 24 deputetë. Pse e shkel me këmbë Kushtetutën dhe më tregon rregulloren? Kush është ky që del në emisione dhe thotë nuk ngrihen komisione hetimore. Ushtro autoritetin tënd se kemi kërkuar komision hetimor për një çështje madhore, për atë thikën në zemër që i kemi ngulur SHBA”, tha Boçi.

Ka reaguar Taulant Balla duke kujtuar njëherazi se që prej dhjetorit nuk kishte mundur që të fliste nga Foltorja e Kuvendit. Balla tha në parim se mocioni do të mbahet në datën 2 mars, komisioni hetimor për Ramën do të ngrihet vetëm kur të mbarojë punë komisioni i ngritur për komisionet hetimore dhe se Byroja e Kuvendit nuk mund të shqyrtojë kërkesa që nuk i janë bashkëngjitur prova konkrete.  

“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni. Këtë e kemi thënë në seancën e shkuar. Në pamundësi për t’u zhvilluar më 23, debati do të zhvillohet me datën 2 sipas të gjitha kërkesave përfshirë dhe kohën e zhvillimit të debatit. Cdo deputet mund të marrë fjalën jo më shumë se 10 minuta. Ky do të jetë debati më i gjatë i zhvilluar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Komisioni hetimor po shqyrtohet nga konferenca e kryetarëve. Unë nuk mendoj që është normale që Kuvendi t’i zhvillojë seancë me seancë me të njëjtën qasje. Mësoni të bëni kërkesa e për t’iu drejtuar Byrosë duhet të vish me provë shtesë. Thirrja ime është, ne s’jemi aspak të kënaqur që të marrim vendime për përjashtim kolegësh por në Kuvend, vjen deputeti shkul mikrofonin dhe i bie foltores si daulle, prandaj nuk komunikoj dot me qytetarët se më kanë dalë njerëz këtu që se di pse…” tha Balla duke përcjellë një mesazh domethënës për atë që mund të vendosë Apeli se pas datës 3 mars, Berisha nuk do të sillet sërish në këtë mënyrë duke bllokuar Kuvendin apo zhvilluar protesta    

 “Jam i sigurt që pas datës 3 s’do jeni më kështu. E rëndësishme është që problemet e brendshme mos i sillni këtu”, tha Taulant Balla.

Debati vijoi rreth kësaj çështje duke folur në emër të procedurës pa dalë në një konkluzion konkret per rreth nje ore

Seanca me pas vijoi me rendin e ditës. Ndërsa jashtë dyerve të saj para protestuesve foli fillimisht kryetari i PL-së Ilir Meta me pas kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Ky i fundit paralajmëroi Taulant Ballën dhe kryeministrin Edi Ram se do të mbajnë përgjegjësi personale nëse vendimi i Apelit me 3 mars do të jetë në favor të palës tjetër brenda PD-së.

Berisha tha gjithashtu se vrasësit e kenianes ndodhen në qeveri.

Ndërsa Ilir Meta tha gjatë fjalës së tij se Rama po asgjëson PS. Protesta e PD jashtë Kuvendit u mbyll rreth orës 12.30 pas mesdite, ndërsa seanca vijoi me punimet e rendit të ditës.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë