Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat, tha se deri në fillim të marsit, 21 parti politike kanë dorëzuar kërkesën e tyre për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Lidhur me vonesën e shpërndarjes së fondeve vjetore për partitë politike, kreu i KQZ u shpreh se nuk ndikohej nga gjyqi për lidershipin e PD-së, por është vendosur që shpërndarja të bëhet pas 31 marsit kur është edhe afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë raportet e tyre financiare për vitin 2022.
“Nuk ka lidhje me çështjen e lidershipit të PD-së. Do të bëjmë shpërndarjen e fondeve pas 31 marsit, pasi kjo është data e fundit që partitë duhet të sjellin raportin financiar për vitin 2022. Kështu parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor. Do shohim nëse partitë e kanë sjellë raportin financiar apo jo. Partia që nuk e sjell këtë raport nuk do ta përfitojë këtë fond” shtoi ai.
Teksa foli për fletën e votimit, Celibashi tha se do të jetë i shënuar edhe emri i kryetarit të partisë përkatëse politike.
Kjo është hera e parë krahasuar me përmbajtjen e fletëve të votimit zgjedhjet e fundit lokale
Celibashi tha gjithashtu se po shqyrtohej denoncimi i bërë nga Partia Demokratike për aplikacionin ‘Aktivisti’ dhe se javën tjetër mund të ketë një përgjigje nëse ky aplikacion shkel rregulla të Kodit Zgjedhor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje