Politike

Lokalet, Celibashi: Në fletën e votimit edhe emri i kryetarit të partisë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat, tha se deri në fillim të marsit, 21 parti politike kanë dorëzuar kërkesën e tyre për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Lidhur me vonesën e shpërndarjes së fondeve vjetore për partitë politike, kreu i KQZ u shpreh se nuk ndikohej nga gjyqi për lidershipin e PD-së, por është vendosur që shpërndarja të bëhet pas 31 marsit kur është edhe afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë raportet e tyre financiare për vitin 2022.

“Nuk ka lidhje me çështjen e lidershipit të PD-së. Do të bëjmë shpërndarjen e fondeve pas 31 marsit, pasi kjo është data e fundit që partitë duhet të sjellin raportin financiar për vitin 2022. Kështu parashikohet edhe në Kodin Zgjedhor. Do shohim nëse partitë e kanë sjellë raportin financiar apo jo. Partia që nuk e sjell këtë raport nuk do ta përfitojë këtë fond” shtoi ai.

Teksa foli për fletën e votimit, Celibashi tha se do të jetë i shënuar edhe emri i kryetarit të partisë përkatëse politike.

Kjo është hera e parë krahasuar me përmbajtjen e fletëve të votimit zgjedhjet e fundit lokale

Celibashi tha gjithashtu se po shqyrtohej  denoncimi i bërë nga Partia Demokratike për aplikacionin ‘Aktivisti’ dhe se javën tjetër mund të ketë një përgjigje nëse ky aplikacion shkel rregulla të Kodit Zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë