Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim jo fort të gjatë për natyrën e tij në Kuvend lidhur akuzat për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së aktualisht të arrestuar në SHBA, Charles McGonigal. Rama mohoi akuzat dhe në shumicën e fjalës nuk kurseu metaforat dhe ironitë ndaj opozitës. Më pas ai u largua nga seanca duke thënë më herët se me opozitën tashmë do të takohet me 14 maj, ditën e zgjedhjeve lokale.
Deputeti i PD, Gazment Bardhi tha se gjatë fjalës së tij për 45 minuta Rama nuk dha asnjë përgjigje.
“Për 45 minuta nuk tha asgjë edhe iku. Cilido prej jush që priste përgjigje nga Edi Rama mori thjesht një lum metaforash, sharje ndaj opozitës dhe asnjë sqarim për këtë akuzë nga drejtësia amerikane. Sa kohë është kryeministër fshihet pas imunitetit diplomatik që i jep konventa e Vjenës. Do duhet të ishte larguar nga karrigia e kryeministrit, të lejonte drejtësinë amerikane të kryente hetimet ndaj tij. Pranoi se kishte ngrënë 14 darka me McGonigal.
Nuk na tha ç’ishte gjithë kjo dashuri e madhe e shefit të FBI-së me Ramën. Pse nuk kishte të njëjtën dashuri për kryeministrin e Malit të ZI dhe të Kosovës? Çfarë e lidhte me Ramën? Prej më shumë se 1 muaji publiku është njohur me dosjen e korruptimit që Rama ka bërë ndaj McGonigal. Deri tani njihet botërisht se dy njerëz kanë tentuar të korruptojnë zyrtarë të lartë të SHBA-së, Rama dhe oligarku rus Deripaska.
Ish shefi i FBI-së është sot nën akuzë dhe mund të dënohet deri në 20 vite burg. Nëse prisnit që sot Edi Rama të jepte shpjegime besoj se pas shpjegimit të tij, e kuptuat se sot u soll fiks si i pandehur. Sepse është i përfshirë në një nga aferat më të rënda në këto 30 vite sepse ka brenda korrupsion, ka brenda trafik, cënim sigurie kombëtare, cënim marrëdhëniesh me partnerin strategjik” tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje