Politike

Dosja ‘McGonigal’ / Mocioni maratonë, Berisha: Ke kryer krim në SHBA. Rama: Asnjë akuzë ndaj meje, shihemi më 14 maj (Paralajmëron një tjetër ‘non grata’)

Mocioni me debat ndaj kryeministrit Edi Rama për çështjën “McGonigal” nisi të enjten me kërkesën kryesore të opozitës ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryeministrit.

Kryeministri Edi Rama fillimisht ishte në vendin e tij në Kuvend më pas dëgjoi Luçiano Boçin dhe Sali Berishën (që folën më herët se ai) në karrigen e deputetit ngjitur me Pandeli Majkon.

Në sallë ishte Sali Berisha i rikthyer pas mbarimit të afatit të përjashtimit nga Kuvendi, ndërsa mungoi Lulzim Basha i cili nuk kishte rregjistruar as ndonjë fjalë për të mbajtur në protokollin e Kuvendit.   

“…Përdorët McGonigal për të certifikuar, për të mbyllur vjedhjet tuaj, për të sulmuar antikorrupsionin në Shqipëri, ata që ditë e natë denoncojnë krimin.

McGonigal shkoi aty ku e meriton si tradhtar i kombit të tij. E sigurt që edhe ti do shkosh aty ku e meriton edhe si tradhtar i demokracisë.

Ndaj kërkoj me çdo kusht krijimin e komisionit me të drejtën kushtetuese”, i tha Berisha Ramës. Ky i fundit ulur me Pandeli Majkon, Berisha nga podiumi.

“Aty ku është karrigia e kryeministrit, aty qëndron sot Charles McGonigal.

Ai që duhej të ishte aty, është iluziv, sepse i ka hyrë lepuri në bark dhe ka një frikë të tmerrshme nga ajo që i ka bërë vetes së tij.

Atë nuk e zë vendi vend, se ka kryer krime të shëmtuara, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai sot, mirë është të sillni një barrelë këtu, sepse i ka rënë fuqia te këmbët. Ai sot bëri mirë që nuk doli aty, se nuk ka si të paraqitet para shqiptarëve me krimin e shëmtuar transatlantik që ka kryer.

Jam këtu për një seri pyetjesh, janë 13, por duhet të jenë 130, të cilave duhet t’u përgjigjet komisioni hetimor parlamentar. Pa marrë përgjigje këto pyetje, Shqipëria do ketë kaos dhe vetëm kaos.

Përgjegjësia do bjeri mbi atë, që ka ulur sot në vendin e vet, tradhtarin e SHBA, vrasësin me pagesë të opozitës shqiptare, Charles McGonigal.

Është e pashembullt në histori, që një vend partner të rekrutojë kryezbuluesin e një vendi që udhëheq botën e lirë, që udhëheq NATO-n dhe është udhëheqësi kryesor i paqes dhe sigurisë mbi tokë.

Është e pashembullt që një kryeministër të vërë në dispozicion të tij, të gjithë shtetin, për të bërë luftën më monstruoze, më të turpshme kundër pluralizmit dhe opozitës.

Ke kryer krim në SHBA. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA tha se kush paguan punonjësit tanë për interesat e tyre, cenon sigurinë tonë kombëtare.

Ndaj, hiq çdo iluzion, je nën hetim, ke kryer krim. Sa do të mbajë imuniteti diplomatik, por do bëjmë gjithçka që të ta heqim atë.

Ti ke vazhduar me McGonigal sistemin e gjobave 20 përqind që ushtroje me pasion të çmendur”, tha Berisha.

Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, kërkoi më herët që Kryeministri Rama të japë dorëheqjen pasi sipas tij është bërë alarm i kuq në SHBA.

“Ne kemi kërkuar që Edi Rama të përgjigjet për akuzat publike dhe juridike të ngritura ndaj tij në SHBA.  Ndërsa për akuzat këtu duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Ky i sotmi nuk është një gjyq politik, por fillimi i një fundi politik të një Kryeministri. Para nesh është zbuluar në të gjithë përmasën e tij një projekt kriminal perfid. Një gazetar i famshëm amerikan ka thënë ‘kur të flasë McGonigal të gjithë do të dëgjojnë’.  Nese Pablo Escobar do të kishte pasur këtë perfeksion ai do të kishte qenë ende kumbari i kokainës.

Rama bëhet kështu kryeministri i parë i shtetit shqiptar që akuzohet zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falë drejtësisë amerikane dhe mediat amerikanë është bërë e qartë se Qeveria e Shqipërisë ka korruptuar një zyrtar amerikan me qëllimin kryesor për të goditur dhe zhdukur opozitën. Emri i Ramës përmendet 14 herë dhe tashmë janë të provuar katërçipërisht”, tha Boçi. Edhe Enkelejd Alibeaj më herët drejtoi 30 pyetje për Ramën.

“Cili zyrtar nga zyra juaj (zyra e kryeministrit) i ka dhënë informacione Dorian Duçkës lidhur me lobimin?

 Si e shpjegoni ju që 4 ditë më pas, në datë 24 nëntor, McGonigal ka marrë nga këshilltari juaj Dorian Duçka informacion për të stisur procedimin penal ndaj lobistit të Partisë tjetër kundërshtare me tuajën?

 Në dhjetor 2017 keni darkuar me Mcgonigal dhe personin A në New York. A është diskutuar mes jush dhënia e informacioneve tek Agron Nezaj (përveç çfarë i ishte dhënë Dorian Duçkës) lidhur me lobimin e PD?

 Si e shpjegoni ju që këtë radhë Agron Neza kishte gjetur informacione mbi lobistin e partisë tjetër kundërshtare me ju dhe ia ka kaluar McGonigal në dt 4 janar?

 Keni kërkuar ju në këtë takim, që McGonigal të ndërhynte për të stisur një çështje penale në USA?

 Si e shpjegoni që Agron Neza është furnizuar me informacion përsëri, këtë rradhë në dt 22 janar lidhur me lobistin e partisë tjetër, në funksion të stisjes së çështjes penale kundër tij?

Cili nga zyrtarët e zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë ia ka dhënë këtë informacion Agron Nezajt?”, ishin disa nga pyetjet e drejtuar nga Alibeaj për Ramën.

Më pas foli Rama. “Fronti i prokurorisë i pranishëm në sallë po zhvillon me hov revolucionar një tjetër proces këtu në Shqipëri. Se kush janë dhe pse e bëjnë këtë vetëgjyqësi të harbuar, besoj se s’ka shumë nevojë për shpjegime. Dihen e shquhen për nisma të kësaj natyre dhe as nuk i ngatërron dot me dikë tjetër. Janë po ata që i kanë bërë të tëra të zezat për të cilat na akuzojnë natë e ditë që kur ranë në opozitë. S’kam ardhur sot e nuk do të vij më për ta. Do të vij sa herë të jetë nevoja për respekt të zgjedhësve dhe deputetëve të shumicës që sot nuk mund t’i lija vetëm në këtë mocion absurd për debat.

E kam thënë që para se të niste kjo zallamahi, që në të hyrë të vitit të ri që s’do ta furnizoj më me energjinë time të zjarrit pa ndalim. Nuk kam dëshirë të armatosem me fjalorin e ulët të kësaj politike. Fatkeqësisht janë përfshirë me zell e zjarr në këtë palo luftë dhe jam bërë padashje dhe unë pjesë e asaj mase të errët. Mjaft më. Ka kaq shumë gjëra për të bërë. flisni, bërtisni, ulërini, akuzoni, shpifni, kërcënoni, shani, ofendoni, sajoni, fabrikoni, protestoni, hidhuni përpjetë sa të doni por nderin e përballjes me mua bam e bum, njëri gozhdës tjetri patkoit, s’keni për ta pasur. Thojini të tjerëve sa të doni që jam trembur, po të doni mos u shkulni nga revolucionet imagjinare, por mua s’do më keni më palë. Ju jeni në rregull, keni hyrë në vitin e 10-të të rrugës që më keni rrëzuar disa herë”, tha Rama.

“Më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve dhe jam i vetëdijshëm se viti i 10 dio jetë viti i fitores tuaj më të madhe të kësaj dekade. Në 14 maj, përveç Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit, do merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin. Prandaj unë ju hap rrugë përfundimisht dhe ju them sot se ndihem fajtor që nuk kamë bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në vendin tonë, ku fukarallëku  i vlerave dhe i aspiratave që ulet këmbëkryq në foltore më foltore, e ka mbulepsur krejt shoqërinë, duke ushqyer egoizmin të individëve ndaj njëri tjetrit. Kjo nuk është politika por versioni i saj më i degraduar. Politika është diçka krejt tjetër, e lartë dhe e lavdishme, për njerëzit dhe me njerëzit”tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj tij në SHBA.

“Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza në një përpjekje për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në SHBA që nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, me qeverinë e Shqipërisë apo me mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konktretisht: Një ish zyrtar i FBI akuzohet për një bashkëpunim të paligjshëm me oligarkun rus Deripaska. Prokurorët sipas tyre kanë pikasur edhe një sërë shkeljesh që lidhet me udhëtimet në vendin tonë, ku në akt akuzë thuhet se ai ka ardhur edhe në Shqipëri dhe është takuar me mua. Aktakuza thotë se ai nuk i ka deklaruar takimet me mua dhe ka marrë edhe para borxh. Në aktakuzë gjithashtu flitet edhe për çështjen e hetimeve të parave ruse në PD. Procesi nuk ka asnjë të akuzuar tjetër përveç personit. Kaq janë faktet. Por pavarësisht një hetimi të gjatë që unë kam marrë vesh vetëm kur ka dalë në media, nuk ka asnjë akuzë ndaj meje përveç raportimit korrekt të takimeve me mua”, tha ndër të tjera Rama.

Ai paralajmëroi se kjo ishte hera e fundit që përballej më opozitën, teksa i ftoi të takohemi më 14 maj.

Kreu i qeverisë ironizoi akuzat nga opozita se Edi Rama ka paguar ish agjentin e FBI në bashkëpunim me Agron Nezën dhe Dorian Duçkën.

“Cila është tradhtia që ta marrim seriozisht. Jo unë, kryeministri i një vendi milingonë në hartën e botës. Nuk ka kryeministër në këtë planet përvec të zotit të Shtëpisë së Bardhë që të ketë këtë fuqi. Ku kam tradhtuar dhe si kam tradhtuar kur ju jeni ata që keni marrë paratë ruse? Fati i hetimit për këtë andej matanë nuk dihet akoma kurse në Shqipëri i shpëtuat përgjegjësisë falë prokurorisë e cila Gërdecin e mbylli si shpërthim të gabuar dhe 21 janarin si histori vrasjesh pa autor ndërkohë që mbrëmë u dëgjuam shumë qartë zërat e autorëve jo të një vrasje pa autor por të një vrasje në bashkëpunim.

Nuk jam unë prokuror lavdi zotit për ju dhe demokracinë. Ka disa raste historia në vende jo demokratike që janë kthyer në demokratike. Në një rast ka vonuar mbi 20 vjet, në një tjetër mbi 30 vjet por duke u tërhequr zvarrë me pizhama, autorët kanë përfunduar ku e kanë vendin, prandaj mos u nxitoni para kohe.

E bukura në këtë histeri është se flasin e akuzojnë ata që kur ishin në qeveri paguan miliona nga taksat e shqiptarëve për lobim në SHBA për të na goditur ne duke eksportuar me kamionë lobistësh gjyle të panumërta. Sikur ‘non grata’ të nxirreshin me lekë si byrek nga sporteli i DASH, vetëm Pandeli Majko do kishte shpëtuar, imagjinoni ku do ishin Fatmiri me Gramoz Rucin bashkë me mua po e po. Jo non grata por s’do dilnim dot nga shtëpia. Ka 100 vjet që thotë se Amerika blen e dyllos kë të dojë, por bota s’kish parë gjë akoma por ja që dolët ju nga Lana që thoni se Amerikën e paloska Edvin Kristaq Rama me banim në Surrel dhe një Goni Goni nga Tropoja me banim në Bronz dhe në fund e dylloska një Dori Duçka nga Shqipëria. Pika pika kush e ka qeveris Shqipërinë”, tha Rama. Ai iu drejtua edhe Lulzim Bashës që mungonte gjatë seancës.

“McGonigal mori informacion nga zyra e Kryeministrit për lobimin rus. Unë apo zyra ime nuk kishim asgjë nga ato që kishin dalë në media. Sepse po t’i kishim çfarë do të mbronin? Lulin apo tutorin e Lulit? Po të kisha pasur çfarëdolloj informacioni për këtë fakt të tmerrshëm do t’ia kisha përcjellë kujtdo që do të mundja, nga organizatat partnere. FBI-së të parës fare. Problem për vendin do të ishte e kundërta dhe të mos tregoja. Unë nuk e di sinqerisht ku do të donit të dilnit me këtë? Rusët i kam shpikur unë? CIA në raportimin e saj e ka publikuar se PD se bashku me një parti në Mal të Zi, Bosnjë, apo Maqedoni financohen nga para ruse për të destabilizuar. Kjo është ajo që doli nga ne sipas jush? Ai rusi vetë ka deklaruar se ka ndihmuar PD-në”, tha Rama.

Në fund po me batutë ai e paralajmëroi një tjetër ‘non grata’.

“Ju presim më 14 maj për të na mundur siç na keni mundur gjatë këtyre 9 viteve. Deri atëherë, kujdes se byrektorja vijon punën, gjiza ka arritur dhe okllaia po shtron brumin tjetër për tavën që pret të hyjë në furrën e rindezur. Personin në fjalë do e shihni vetë”, tha Rama.

Seanca do të jetë maratonë kur PS do të ketë 750 minuta në dispozicion, 350 minuta do jenë për PD. Nga 10 minuta do të kenë 9 deputetët e Rithemelimit. Ndërsa 9 deputetë të Rithemelimit do të kenë 10 minuta kohë për të folur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë