Politike

Tabaku: SPAK të hetojë Ramën, lidhjet e tij me McGonigal nuk duhen parë si rastësi   

Deputetja e PD-se, Jorida Tabaku, e konsideroi të papranueshme faktin se kryeministri Rama, sipas saj, prej një muaji i është shmangur llogaridhënies mbi çështjen “McGonigal”.

Tabaku tha se u deshën të kalonin pesë vite, që shqiptarët të mësonin se ish agjenti i FBI-së McGonigal kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në së paku 4 herë duke u takuar po kaq herë me kryeministrin e vendit. Sipas saj, edhe akuzat drejtuar PD,  sot merr një tjetër kuptim. “Një kuptim që nis nga takimet e kryeministrit me ish drejtorin e FBI dhe përfundon në tendera dhe koncesione për rublat ruse”.

Ndaj dhe nënvizoi deputetja, shqiptarët, kërkojnë sqarime në lidhje me aktpadinë që ka ngritur SHBA

 “Akuza e parë është drejtuar ndaj ish zyrtarit të FBI sepse ai ka kryer biznes të padeklaruar, pra është korruptuar, nga oligarku rus Oleg Deripaska.  Akuza e dytë është ajo e ngritur se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë qoftë këto politike, përfshirë dhe një hetim kundër Partisë Demokratike. Aktpadia e ngritur nga Departamenti i Drejtësisë sqaron se ish drejtuesi i FBI ka ardhur në Shqipëri jo në një vizitë zyrtare, që nuk ka deklaruar se gjatë kësaj vizite ka qenë i shoqëruar dhe që ka dështuar të deklarojë që ka takuar kryeministrin e Shqipërisë.

Nëse një agjent FBI, vjen në Shqipëri ai në rastin më të pakët do të duhet të lajmëronte le të themi institucionet e SHBA në vendin tonë dhe nuk ka asnjë arsye të përdorte një mik të tijin që rastësisht i ka kërkuar dhe 225 mijë dollarë apo jo?

Si ka mundësi që një drejtues i lartë, një nga pesë më të lartët e FBI, vjen në Shqipëri dhe kryeministrit të vendit ia prezanton dhe ia sjell në selinë e kryeministrisë një person që në Shqipëri dhe në SHBA nuk ka asnjë funksion zyrtar?

Aktpadia zbardh ne fakt se takimi i Ramës me McGonigal përbën katër veprime në kundërshti me rregulloren e FBI…”, tha ndër të tjera Tabaku, duke i kërkuar SPAK që të hetoje.

“Nuk janë rastësi të gjitha këto prova dhe fakte të bëra publike”.

Nuk është rastësi që kryeministri i vendit sa herë që takohet me McGonigal, ky i fundit nis një veprim kundër Partisë Demokratike.

Nuk është rastësi që ortakët e McGonigal dhe klientët e tij kanë fituar tituj koncesionarësh dhe investitorësh strategjikë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë