Politike

Vendimi për PD, shfryrja e dosjes ‘McGonigal’ dhe ‘rikthimi’ i paqes në Kuvend

Seanca e ditës së enjte në Kuvend ishte një ditë si gjithë të tjerat. Nuk kishte as kacafytje në derën kryesore të saj, as bilbila, as bllokim foltoreje, as ‘revolucion’ as ballafaqim faktesh e as përjashtime të reja. Vetëm akuza të vjetra.

E reja ishte prania e kryeministrit Edi Rama. Por jo gjatë.

Shkëmbeu batuta me Pandeli Majkon, lexoi një fjalim të shkruar me tone metaforike, mohoi akuzat, aludoi për një tjetër ‘non grata’ SHBA dhe i kujtoi opozitës se me të do të takohej vetëm për zgjedhjet lokale.

Edhe Berisha qëndroi në vendin e tij. (Të paktën deri në orën që u publikua ky lajm)

U çua dy herë në podiumin e Kuvendit, kërkoi më shumë të drejtë fjale që nuk iu dha dhe u ul po aq qetë në karrigen e tij.

Rama ndërkohë kish lënë Kuvendin. Boçi kërkoi të ndërpritej seanca. Eshtë false seanca, tha ai, pa praninë e Ramës. Kaq tha Boçi. Beri detyrën dhe u ul edhe ai në vendin që i takon

Berisha nuk foli për largimin e Ramës. Përsëriti të njëjtat akuza. La edhe ai seancën dhe u tha gazetarëve se misioni i radhës është ngritja e komisionit hetimor.

Seanca vijoi me fjalimet e depozituara në Kuvend. Dhe nuk janë pak.

Por debati u mbyll. Në vetëm një orë, Rama dha lajm me praninë e tij, por jo me ato që tha.

Ai bëri “qokën”. Berisha bëri sikur demaskoi Ramën, Alibeaj renditi një taborë me pyetje, Balla u mor me 21 janarin, Tabaku i kërkoi ndihmë SPAK-ut, Spiropali insinuoi se Berisha do shpallet ‘non grata’ edhe nga BE, ndërsa Manja u mor me Dan Hutrën për të zbuluar se personi që vrau tre gra në 24 orë kish qenë komisioner i PD në burg.

Të gjithë bënë detyrën. Deputetët i pasuan radhën njeri tjetrin në një seancë të zakonshme që Kuvendi nuk e kish parë për më shumë se një muaj.

24 orë para se Apeli të japë vendimin, politika ra në qetësi dhe dosja ‘McGonigal’ që trazoi politikën qysh prej fund janarit u shfry në një orë debat krejt pa përmbajtje.

A është kronikë e një ngjarje paralajmëruese për atë që do të vendosë Apeli?

E premtja është afër. As 24 orë për ta kuptuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë