Kur Ilirjan Celibashi, njeriu i sprovuar me partitë politike në zgjedhje, ia behu pak ditë më parë se në fletën e votimit do të përfshihej edhe emri i kryetarit të partisë, pak kush e kuptoi se pse kjo lëvizje.
Për zgjedhjet lokale, në fletën e votimit është përfshirë gjithnjë emri, mbiemri i kandidatit dhe sigla e partisë që e përfaqëson, por jo kryetari i partisë.
Në kushtet kur Apeli e ka marrë vendimin, deklarata e Celibashit merr kuptim.
LEXO EDHE:
– Debati për PD rikthehet në shkallën e parë/ Berisha s’njihet si palë legjitime, Alibeaj mban vulën
– Apeli zbardh vendimin: Prishet vendimi i Zhukrit, s’pranojmë ankesën e Rithemelimit (Votimi 3-0)
– Vula e PD-së / Berisha: Vendim i qëllimshëm tre ditë para regjistrimit në zgjedhje, e paracaktoi Rama
– Alibeaj pas vendimit të Apelit: S’është ditë triumfi, por reflektimi. Ogur i mirë, të bashkohemi përballë Ramës
– Vendimi për vulën / Meta: Akt i paralajmëruar nga Rama, ky frikacak i tmerruar nga zgjedhjet
Sepse në këto zgjedhje (që nuk janë parlamentare por lokale) për herë të parë po ka rëndësi kryetari i partisë që do të çojë kandidatin dhe jo kandidati ashtu siç në kushtet normale duhet të ndodhte.
Apeli vendosi të premten (vetëm dy ditë para afatit maksimal të regjistrimit të partive politike në KQZ) se Sali Berisha nuk ishte palë legjitime e PD-së në asnjë formë juridike sa kohë që zhbëri vendimin e Agron Zhukrit i cili i jepte kompetenca.
Apeli madje nuk e njihte as fare si palë, kur në vendimin përfundimtar e cilësonte përfaqësuesin e Berishës si Komisioni i Rithemelimit. E kundërta për palën tjetër.
Si pasojë e vendimit, Berisha është kryetar vetëm për ata që e kanë votuar, por me letra jo. Ai nuk nuk mund të përfaqësojë PD-në zyrtarisht askund e jo më në zgjedhjet lokale, edhe pse pas primareve të drejtuara prej tij ai ka filluar fushatën me kandidatët.
Nje nga zgjidhjet është që të fusë kandidatët e dalë nga primaret në siglën e Ilir Metës i cili ka çuar kërkesën në KQZ për tu regjistruar si Parti e Lirisë.
Berisha është përballë dilemes; Të regjistrohet me Ilir Metën? Të gjejë një kompromis me palën e Alibeajt për t’i futur kandidatët në siglën e PD?. Apo rruga e trete; Daljes me kandidate te pavarur?
Paralelisht ka një ngërç tjetër. Edhe pala e Alibeajt e ka po aq të vështirë sa edhe Berisha. Më shumë për çështje proçeduariale sesa politike.
Në gjykatë nga PD figuron ende kryetar Lulzim Basha. Ai ka dhënë dorëheqjen publikisht, por nuk e ka depozituar në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Askush nga pala zyrtare nuk kishte çuar një kërkesë për ta çregjistruar. E ka bërë vetëm Edith Harxhi e palës së Berishës dhe gjykata ia ka shtyre kërkesën.
Indrit Sefa përfaqësuesi ligjor i Enkelejd Alibeajt tha se të hënën do të çonte në gjykatë kërkesën për ta çregjistruar emrin e Bashës. Në të njëjtën ditë ndërkohë, Alibeaj duhet të regjistrojë edhe partinë në KQZ.
Që të çregjistrohet emri i Bashës, PD zyrtare duhet të çojë edhe emrin e kryetarit të ri të partisë pasi në bazë të Kodit Zgjedhor është kryetari i partisë që çon listën e kandidatëve në zgjedhjet lokale.
“Sipas pikave b dhe të paragrafit 2, ai nuk është kryetar i asnjë partie! As strukturalisht, as demokratikisht e as formalisht, meqë po luhet me formën. Ligji nuk thotë “person i deleguar”, por shkruan tullë “kryetari është përfaqësues i partisë”. Madje duhet që ky kryetari , sipas pikë e, të mbajë përgjegjësi për financimet e huaja dhe kriminale… Ky është ligji i shtetit!”, komenton Ylli Manjani
Enkelejd Alibeaj është kryetar i komanduar. Por edhe ai pa mandat strukturash. Ai është kryetar me firmën e Bardhit (si ish-Sekretar i Përgjithshëm) që minimalisht duhet të mbledhë Këshillin Kombëtar të kohës së Bashës e më pas Kuvendin e partisë që të mandatohet si kryetar për në gjykatë.
Paralelisht neni 64 i Kodit parashikon edhe disa angazhime të tjera të kryetarit, konkretisht pika e fundit qe lidhet me, “deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme”
Enkelejd Alibeaj ndërkohë ka njoftuar se është ai që do të mbledhë grupin parlamentar të PD-së të hënën në mesditë. Në të njëjtën ditë edhe kryesinë dhe kryetarët e degëve. Asnjë nga këto takime nuk e legjitimon Alibeajn kryetar të zgjedhur, përvecse të komanduar.
Se cfarë manovre juridike (se politike s’ka) mund të bëjë Alibeaj (duke interpretuar disa kleçka te statutit të Bashës ndryshuar në dhjetorin e 2021) në vetëm 48 orë nga afati i fundit i regjistrimit të PD në KQZ kjo mbetet për tu parë.
Ajo që dimë është se PD ndodhet përballë dy alternativave;
E para: Qëndron risku për të mos u pranuar PD si parti politike në zgjedhje sa kohë që nuk ka kryetar të zgjedhur por vetem kompetenca te deleguara.
Sali Berisha nuk e ka siglën. Alibeaj e ka si i komanduar, por nuk ka kohe që të rregullojë me letra se ai është kryetari.
Alternativa e dytë (deri në kohën kur u publikua artikulli) është regjistrimi në zgjedhje i PD më kryetar Lulzim Bashën siç është ne regjistrin e partive politike.
Jo më kot Mero Baze në një koment të tij shkruante se në zgjedhjet e 14 majit, shumë nga kandidatët e Berishës duhet të regjistrohen në emër të Lulzim Bashës nëse ata nuk kanë më të mirë në zonat e tyre.
Zgjidhje tjetër sa duket nuk ka. Alibeaj nuk ka kohë për tu regjistruar si kryetar legjitim.
Vetëm nëse gjykata vepron brenda 24 orësh për disa vendime që duhet t’i merrte në fakt këtu e dy vjet me parë dhe jo dy ditë më parë e as ditën e fundit. / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje