Politike

Deputetë të Alibeajt: Kandidatët e Berishës të regjistrohen me siglën e PD me ndonjë korrigjim të vogël

Një ditë pas vendimit të Apelit, deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula,(i cili nuk është reshtuar me grupin e Berishës) thotë se rruga e vetme është bashkimi dhe dalja e kandidatëve me siglën e PD

“Bashkimi i demokratëve, rruga e vetme dhe e duhura për gjithë Shqiptarët! Vendimi aq shumë i stërzgjatur i Gjykatës së Apelit nuk është triumf për askënd nga ne demokratët. Nëse ne që jemi mandatuar për të përfaqësuar demokratët e thjeshtë nuk do dimë ta kthejmë këtë situatë në favorin tonë, atëherë vendimi i mbrëmshëm do favorizojë vetëm atë që është në pushtet tani.

Nuk ka asnjë arsye për revansh. E vetmja zgjidhje është BASHKIMI. Këtë nuk e bën asnjë forcë hyjnore, asnjë vendim gjykate por e bëjmë vetë ne duke vendosur interesin e demokratëve, e shqiptarëve para ndonjë interesi të ngushtë.

Kandidatët demokratë për zgjedhjet e 14 majit duhet të regjistrohen në KQZ, vetëm me logon e PD. Kandidatët e dalë nga “Primaret” me ndonjë korrigjim për më mirë ku të jetë e mundur, duhet të futen në zgjedhje me logon e PD dhe si demokratë.

Këtë mllef ndaj qeverisë që përpos 1001 të zezave që i ka bërë ekonomikisht vendit, investohet vazhdimisht me çdo mënyrë të ligjshme e të jashligjshme të dëmtojë opozitën, duhet ta kthejmë në një energji të përqëndruar për tu përballur me mazhorancën aktuale. Këtë duhet ta bëjmë tani. Në zgjedhjet lokale duhet shkojmë të bashkuar”, shkruan Sula.

Ne foto: Kreshnik Collaku

Të njëjtën logjikë ka mbështetur edhe deputeti tjetër i PD-së, Kreshnik Collaku.

 “Unë e mbështes qëndrimin e kolegut Dashnor Sula ,dhe mendoj se kemi cdo mundësi që në zgjedhjet e 14 majit të shkojmë me kandidatë të përbashkët, kandidatë të të gjithë demokratëve nën siglën e PD, unike e të pandare. Në shumicën e bashkive ne kemi mundësi të përfaqësohemi me kandidatë që mund të marrin mbështetje konsensuale nga të gjithë”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë