Gazeta Si – Parlamenti i Gjeorgjisë tërhoqi ligjin e diskutueshëm të “agjentëve të huaj”. “Si parti përgjegjëse në qeveri, kemi marrë vendimin për tërheqjen e pakushtëzuar të projektligjit që mbështetëm”, tha partia Ëndrra Gjeorgjiane, e cila mban shumicën absolute në Parlament.
Vendimi vjen pas dy netëve të trazirave në Tbilisi jashtë Parlamentit, ku mijëra protestues kërkonin shfuqizimin e ligjit, të cilin e cilësonin si pro-Rusisë.
Sipas raportit të Ministrisë së Brendshme, policia ka arrestuar 133 persona, ndërsa dhjetëra efektivë dhe civilë janë plagosur.






Projektligji ishte kritikuar ashpër edhe nga një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar, kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kishin cilësuar dokumentin si një pengesë në zhvillimin e standardeve demokratike në Gjeorgji.
Ishin dy partitë në mazhorancën qeverisëse, Ëndrra Gjeorgjiane dhe Pushteti për Popullin, ato që njoftuan tërheqjen e projektligjit për “agjentët e huaj”.
Siç bëhet e ditur në një deklaratë të përbashkët, partitë politike kanë “vendosur të tërheqin pa kushte projektligjin”, të cilin megjithatë e kanë përsëritur se “e mbështesin pa asnjë rezervë”.
“Ne e kuptojmë se projektligji i miratuar ka shkaktuar dallime në opinione në shoqëri. Makina gënjeshtare ka mundur ta paraqesë dokumentin në një këndvështrim negativ dhe të mashtrojë një pjesë të caktuar të opinionit publik. Në mënyrë të rreme, ky projektligj është etiketuar edhe si ‘ligji rus’ dhe miratimi i tij në lexim të parë u paraqit si një largim nga kursi europian në sytë e një pjese të opinionit publik”, thuhet në një komunikatë zyrtare.
Të dy forcat politike, megjithatë, bëjnë të ditur se “pasi të reduktohet reagimi emocional” që u ngrit pas miratimit në leximin e parë, do të shpjegohet “më mirë për publikun se për çfarë do të ishte projektligji dhe pse ishte i rëndësishëm, për të garantuar transparencën e “ndikimit të huaj në vendin tonë. Për ta bërë këtë, ne do të inicojmë takime me popullatën dhe do t’i bëjmë publikut të gjerë të dijë të vërtetën për çdo detaj të çështjes”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje