Bota

Një tjetër incident, avionët luftarakë gjermano-britanikë kapin mjetin rus mbi Estoni

Gazeta Si – Avionët luftarakë të Forcave Ajrore Mbretërore Britanike (RAF) dhe të Forcave Ajrore Gjermane, diktuan një avion ushtarak rus mbi hapësirën ajrore të Estonisë, shkruan BBC në një postim në Tëitter, i cili nuk citon burime.

Avioni rus, një mjet transporti dhe furnizimi ajror me karburant, “Ilyushin Il-78 Midas” me katër motorë, po fluturonte midis enklavës ruse të Kaliningradit dhe Shën Petersburgut dhe kaloi mbi hapësirën ajrore të Estonisë, mbi Balltik, pa njoftuar praninë e tij në kontrollin ajror të Talinit.

Dy avionët që e interceptuan atë, “Typhoon”, u ngritën në ajër menjëherë për këtë rast, njëri gjerman, tjetri britanik dhe shoqëruan “Il-78” jashtë nga hapësira ajrore estoneze.

Interceptimi në fakt ishte rutinë, por është hera e parë që një operacion i tillë kryhet bashkërisht nga të dy vendet.

“Kjo vendosje e përbashkët MB-Gjermani në Baltik tregon qartë vendosmërinë tonë kolektive për të sfiduar çdo kërcënim të mundshëm ndaj kufijve të NATO-s, duke demonstruar njëkohësisht forcën tonë të kombinuar”, komentoi ministri britanik i Forcave të Armatosura.

Një ditë më parë, ushtria amerikane njoftoi se një avion rus përplasi një dron ushtarak amerikan, duke i shkaktuar atij dëme të konsiderueshme.

Kjo bëri që autoritetet amerikane ta rrëzojnë dronin e tyre në një hapësirë ndërkombëtare të Detit të Zi.

Sipas Pentagonit droni ishte në një mision rutinë vëzhgimi në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Në këto momente dy avionë rusë u përpoqën ta kapnin atë.

Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar avionët derdhën karburant mbi dron për ta dëmtuar derisa njëri prej tyre e goditi qëllimisht në një krah.

Ngjarja u komentua si një nga përplasjet e para e drejtpërdrejtë midis Uashingtonit dhe Moskës, por analistet nuk mendojnë se vetëm ky “fërkim” mund të çojë dy fuqitë bërthamore në një konflikt të hapur, që do të shndërronte luftën në Ukrainë në një konflikt global. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë