Politike

Takoi Alibeajn dhe Bardhin në zyrat e reja të PD/ Escobar, 45 minuta takim edhe me Metën: Shihemi së shpejti

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, zhvilloi një takim të shkurtër në zyrat e reja të PD-së me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeaj.

Escobar shoqërohej nga ambasadorja e SHBA Yuri Kim, të cilët u pritën ne fillim të takimit nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi.

Më pas, Escobar takoi kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën.

LEXO EDHE:
– Fotot/ Escobar në Tiranë, takon Ramën dhe Begajn, Presidenca zbardh takimin. Të mërkurën bisedon me Metën dhe Alibeajn
– Mesazhi i vizitës në Tiranë, Escobar: 14 maji i rëndësishëm, kandidatët të jenë me integritet të lartë

Në përfundim të takimit, Escobar pasi doli nga selia e Partisë së Lirisë, përshëndeti Metën, duke konfirmuar një tjetër takim me të. “Shihemi së shpejti!”, i tha Escobar Metës. Ky i fundit tha shkurt me për mediat se detajet e takimit do të bëhen publike me anë të një deklaratë zyrtare nga Partia e Lirisë. I pyetur nëse ka marrë një ftesë për të vizituar SHBA, Meta nuk dha përgjigje. Më vonë Meta përcolli nje deklarate zyrtare rreth takimit të zhvilluar.

“Theksova rëndësinë e ruajtjes së përbashkët të partneritetit dhe aleancës strategjike, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.

Për Shqipërinë, aleanca me SHBA është themelore për demokracinë, zhvillimin ekonomik, sigurinë e vendit dhe të rajonit.

E falenderova për mbështetjen e projektit të bazës së NATO në Kuçovë, si dhe ndihmën e jashtëzakonshme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të sigurisë kibernetike.

Vlerësova se angazhimi i SHBA në procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor dhe garantues drejt përfundimit me sukses të dialogut mes dy vendeve.

Theksova se zgjedhjet e 14 Majit janë një ditë e madhe e ndryshimit për të gjithë shqiptarët, që do t’i japi fund monizmit në pushtetin vendor dhe do të rikthejë demokracinë, transparencën dhe Llogaridhënien në të gjitha bashkitë e vendit”, thunet në njoftimin e PL

Në këto takime, ashtu siç edhe pritej, Escobar do të shmangë takimin me Sali Berishën, (apo përfaqësues të tij) sa kohë është i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA.

Pas takimeve të martën me kryeministrin Rama dhe Presidentin Begaj, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme lokale, zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it dhe nevojën që partitë politike dhe liderët të sigurojnë kandidatë me integritet të lartë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë